zoom

Lajme

Berisha apelon për bashkim të Opozitës: T’i lëmë mënjanë ndasitë, jemi në emergjencë ekzistenciale!

Ish-kryeministri Sali Berisha apelon për bashkim të faktorit opozitar, teksa i ka drejtuar një thirrje kritikëve të tij, që të lënë ndasitë mënjanë dhe të bashkohen. Ai e ka konsideruar situatën si emergjencë ekzistenciale.

Nga ballkoni i banesës ku ndodhet në arrest shtëpie prej më shumë se 155 ditësh dhe në rrezik të humbjes së mandatit të deputetit në fund të muajit, Berisha tha se ka momente në histori, që lufta politike eklipsohet nga një emergjencë ekzistenciale.

Fjala e Berishës:

“Në 33 vite karrierë politike, kurrë ndonjëherë, një mesazh i imi, nuk ka qenë më emergjent se ky mesazh i sotëm për ju dhe mbarë shqiptarët. Në 33 vite karrierë, kurrë ndonjëherë, një thirrje e imja, nuk ka qenë kaq jetike se kjo që bëj sonte në emër tuaj dhe të PD. Prandaj fjalët e mia sot shkojnë në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo qytet, në mbarë vendin. Këto fjalë shkojnë për çdo rrugë dhe rrugicë të Shqipërisë.

Këto fjalë shkojnë për zemrat e çdo shqiptari. Çdo njeriu, që nën deje ka gjak shqiptari. Demokratë dhe opozitarë të tjerë. Socialistë dhe pa parti. Këto fjalë u shkojnë partive të mëdha dhe partive të vogla. Shoqërisë civile, emigracionit dhe diasporës. Të rinjve dhe të moshuarve. Nënave dhe baballarëve. Vëllezërve dhe motrave.

Por këto fjalë shkojnë edhe për kritikët e Berishës.

Ka momente në histori, që ndasitë duhen lënë mënjanë. Ka momente në histori, që lufta politike eklipsohet nga një emergjencë ekzistenciale. Për çdo popull, vjen një moment në histori kur ndodhet përpara pyetjes: “Të jesh apo të mos jesh?”

Ky është ai moment për kombin shqiptar! Dhe sot çdo shqiptar duhet t’i shohë gjërat siç janë”. /ZOOM.AL/