zoom

Lajme

Berisha akuzon dyshen Rama-Balla për situatën e rendit, atentatet dhe arsimin

Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij nga ballkoni i shtëpisë para mbështetësve demokratë, ka deklaruar se vetëm në dy ditët e fundit janë katër atentate në vend, e kjo ka ndodhur sepse në krye të rendit është politikani më i lidhur me krimin sipas tij.

Berisha tha se gjatë qeverisjes së PD-së nuk u mbyll asnjë shkollë, ndërsa në vitet e fundit janë mbyllur të paktën 700 shkolla.

Sipas tij mësuesit shqiptarë, nga mësuesit më të mirëpaguar, zbritën në mësuesit më të keqpaguar në rajon, me rroga 30 përqind më të ulëta se në Kosovë.

Fjalimi i plotë i Berishës:

“Mirëmbrëma dhe mirënjohje më të pakufishme për ju misionarë të vërtetë të lirisë, shpresës dhe dinjitetit. Një falënderim të përzemërt për oratorët e mrekullueshëm, të cilët me fjalimet e tyre sonte dhe çdo natë, frymëzojnë shqiptarët.

Të dashur miq!

Beteja pa kthim e opozitës shqiptare është një betejë historike. Është një betejë epike, e pashembullt në historinë e Europës pas rënies së Perdes së Hekurt. Asnjë vend ish-komunist, në të cilin diktaturat u përmbysën, nuk pësoi pas 32 vitesh si Shqipëria, rivendosjen e një diktature më të keqen, më të shëmtuarën, më të pamëshirën midis të gjitha diktaturave.

Diktatura e bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, nuk ka burgje dhe kampe përqendrimi, por ka prita dhe breshëri kallashnikovi, ka thika dhe rrëmbime çdo ditë dhe çdo natë në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë.

Vetëm dy ditët e fundit janë katër atentate në një vend ku rendi është në duart e krimit. Në një vend ku në krye të rendit është njeriu, është politikani më i lidhur me krimin në historinë 32-vjeçare të Shqipërisë.

Mbrëmë ju njoha me 10-fishimin, 15-fishimin e çmimit të punëve publike në Shqipëri, krahasuar me Kroacinë, krahasuar me çdo vend tjetër të BE, në të cilat puna publike, ndërtimi bazohet në manuale shkencore, serioze, që diktojnë dhe përcaktojnë kosto dhe çdo gjë.

Por, në Shqipëri jo vetëm vidhen 80-90 përqind dhe ndonjëherë 100 përqind si në rastin e inceneratorëve, të parave tuaja të investuara në punë publike. Po ato zvarriten tërkuzë gjersa jo vetëm që nuk kanë leverdi, por gjobisin qytetarët shqiptarë.

Ky ishte rasti i rrugëve. Por të marrim pak sektorët e tjerë. Dhe prapë unë sonte dhe gjithnjë do ftoj qytetarët të bëjnë krahasimin e domosdoshëm. Dhe nuk e bëj këtë se kjo na intereson ne, jo, kjo i intereson çdo qytetari. I intereson për të gjetur të vërtetën në mjegullnajën, terrin e propagandës së sotme të mashtrimit.

Miqtë e mi!

Çfarë ndodh me arsimin shqiptar?

Një shërbim madhor, një shërbim themelor që prej shekujsh shteti është i detyruar t’u ofrojë qytetarëve, fëmijëve të qytetarëve. Në qoftë se ndalemi dhe analizojmë zhvillimet në arsimin e Shqipërisë, nga viti 2005 deri në vitin 2024, në 19 vite, cilido që do të dijë të vërtetën, do gjejë se zhvillimet kanë qenë diametralisht të kundërta. Se investimet e bëra nga viti 2005 në vitin 2013, bënë të mundur ndërtimin e 1300 shkollave dhe kopshteve në mbarë Shqipërinë.

Se investimet bënë të mundur rritjen me 100 deri në 130 përqind të rrogave të mbarë mësuesve të vendit. Se investimet bënë të mundur shtrirjen e internetit, kompjuterit, kabineteve të informatikës në të gjitha shkollat e vendit. Në këto vite, në 8 prej këtyre viteve, e vlerësuar në testin PISA, cilësia e arsimit u rrit në mënyrë vertikale. Asnjë shkollë nuk u mbyll në ato vite për mungesë nxënësish. Asnjë klasë nuk u mbyll në ato vite për mungesë nxënësish.

Ftoj qytetarët shqiptarë, për të gjithë ata që e konsiderojnë shkollimin, e konsiderojnë arsimin si një proces themelor për edukimin, pasurimin me dije të fëmijëve tanë, për të ardhmen e Shqipërisë, të analizojnë pak vitet 13-24.

Çfarë ndodhi?

Mësuesit shqiptarë, nga mësuesit më të mirëpaguar, zbritën në mësuesit më të keqpaguar në rajon, me rroga 30 përqind më të ulëta se në Kosovë. Kabinetet e informatikës u vodhën dhe u shpërbënë. Shkollat filluan të mbyllen njëra pas tjetrës. Gjer sot, 700 shkolla janë mbyllur. Numri i nxënësve po shkon drejt përgjysmimeve.

Çfarë ndodhi?

Shkollat i pushtoi droga. Prindërit kanë frikë, tremben shumë, mjediset që krijohen rreth shkollave dhe në shkolla.

A janë të vërteta këto?

Këto janë të vërteta.

Po tjetër? Shkolla nuk ndërtohet më me 600 apo 700 mijë euro. Ndërtohet me 8 milionë, ndërtohet me 6 milionë. Sepse vidhen 80 përqind e investimit.

Po cili është rezultati?

Rezultati më i hidhur, më i dhimbshëm, më turpërues, Shqipëria këtë vit në testin PISA, në 8 vitet e qeverisjes së tyre, dhe më lejoni t’u sqaroj se ky test përfshin ciklon 9-vjeçar. Pra, kur u plotësuan tetë vite të qeverisjes së tyre, në testin PISA të cilësisë së arsimit, Shqipëria pati rënien më katastrofale.

Shqipëria u dëshmua kampione në botë për rënien e cilësisë së arsimit në 8 vite. Shqipëria në këto 8 vite zbriti nën nivelin që kishte arsimi në vitin 2000. Ky është shërbimi që pushteti i krimit, i vjedhjes, i drogës u ofron fëmijëve shqiptarë në procesin më të rëndësishëm të tyre, shkollimin.

Qytetarë dhe qytetare, duhet të refuzoni me përçmim propagandën që përpiqet t’u mashtrojë, përpiqet t’u bëjë shpëlarjen e trurit, të mohojë ato që arritët, vetëm e vetëm për të mbuluar dështimet e tij.

Çfarë shërbimi është ky më thoni ju mua?

Mësuesit e mirë sot janë larguar. Zëvendësohen me militantë. Shkolla pra, e cila është vatra më e dytë për fëmijët pas familjes, është në ditën e saj më të zezë.

Po pse kjo? Sepse paratë që ju jepni për shkollimin e fëmijëve tuaj, vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen.

A mund të tolerojmë ne më tutje këtë situatë? A mund të pranojmë ne këtë rrokullisje të madhe?

Po unë fola vetëm për arsimin parauniversitar.

Po si janë universitetet sot?

Në një shpartallim të vërtetë. Fondet e kërkimeve shkencore janë inekzistente dhe qesharake. Një njeri që nuk ka kulturën e një mësuesi vizatimi, si me gërshërë, ndaloi mbrojtjen e doktoraturave, mbrojtjen e tezave, duke harruar se universitetet pa kërkim shkencor, përthahen nga viti në viti dhe përfundojnë në mënyrë të sigurt nën nivelin e gjimnazeve.

Kjo rrokullisje vjen e tëra sepse fondet vidhen, sepse edhe ato që paguajnë, tarifat që paguajnë studentët, vidhen. Një pedagog merr një të tretën e rrogës të një shoferi të qeverisë.

A mund të ecet kështu miqtë e mi?

Ndalem këtu për t’u thënë, refuzoni përçmimin dhe propagandën sepse kërkojnë vetëm e vetëm… çdo sektor do e analizojmë së bashku. Flet për suksese, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë thotë, vetëm një armik i kombit mund të thotë, pasi ka përzënë një të tretën e shqiptarëve në tetë vite, që Shqipëria, të thotë se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e mirë.

Në fakt për Çubrilloviçin, në fakt për Pashiçin, një vend armik siç e konsiderojnë ata Shqipërinë dhe shqiptarët, që braktiset nga një e treta e kombit në 8 vite, vërtet është më e mirë se kurrë për ta.

Të dashur miq!

Edi Rama me potencialin e tij shkatërrimtar mbi vendin, mbi ligjet, mbi shtetin, nuk di të ndalet kurrë. Gjithçka është në dorën tonë. Gjithçka varet nga ne, nga beteja jonë pa kthim, nga betimi ynë për të marrë në duar fatin tonë.

Nga betimi ynë për të marrë në dorë fatin e Shqipërisë. Nga betimi ynë për të ecur drejt qeverisë teknike. Nga betimi ynë për të mos ushqyer asnjë iluzion se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Se shqiptarët me çdo çmim, me çdo kusht duhet të votojnë të lirë si qytetarët e tjerë.

Edhe njëherë, ju përshëndes, ju falënderoj me mirënjohje dhe shpreh besimin tim më të madh se po ecim të sigurt drejt fitores që meritojmë, se nuk ka forcë në botë që të na parandalojë krijimin e qeverisë teknike, zgjedhjet e lira dhe të ndershme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!”. /ZOOM.AL/