Aplikacion
Ndër të tjera, Ilir Beqaj tha se edhe sikur ta dënojnë me burgim të përjetshëm apo edhe me vdekje, sërish sipas tij, gjykata nuk do të arrijë ta njollosë dhe ta kriminalizojë Partinë Socialiste, Edi Ramën dhe mandatin e parë qeverisës së tij.
“Të siguroj, se edhe sikur me vdekje apo me burgim të perjetshëm të më akuzosh apo të më dënosh nuk do mund të zhbësh, kontributin tim 33-vjeçar ne jetën publike të vendit dhe as të njollosësh as emrin tim dhe as mbiemrin e familjes sime. Por edhe nuk do të mund të njollosesh dhe as të kriminalizosh as qeverinë e parë të Edi Ramës dhe as Partinë Socialiste,”– deklaroi Beqaj, tejmase i vendosur që në kushtet ku ndodhet, të qartësojë dinjitetin e vetes, por mbi të gjitha të partisë.
Gjithashtu, Ilir Beqaj sulmoi gjyqtaren Flojera Davidhi, teksa e konsideroi gjithë procesin gjyqësor të sterilizimit si politik dhe akuzën ndaj tij një farsë të sajuar. Sipas tij, drejtësisë i duhen jo vetëm gjyqtarë të pakorruptuar, edhe të aftë.
Ndryshe nga të pandehurit e tjerë, Beqaj nuk ka pranuar të bëjë kërkesë për gjykim të shkurtuar, duke pretenduar se gjatë procesit do t’i rrëzojë akuzat që iu shtuan nga gjyqtarja Flojera Davidhi për veprën penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Hetimet gati 3-vjeçare të kryera nga SPAK zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe shtetasit italian, Umbro Staccini. Referuar hetimeve, vlera e koncesionit që llogaritet rreth 100 milionë euro, u fry fiktivisht dhe dhjetëra milionë euro.
SPAK lëshoi urdhër-arreste vetëm ndaj Klodjan Rrjepajt dhe Ilir Rrapajt në gushtin e vitit të kaluar, por Ilir Beqaj u arrestua më vonë. Ai u vu në pranga në fillim të muajit korrik në lidhje me abuzimin me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që ish-ministri drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Beqaj dyshohet se përmes njerëzve të besuar ka ndërtuar një skemë për të përfituar shuma të mëdha parash duke lëshuar fatura fiktive për shërbime të pakryera, të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.
Gjithashtu, ai akuzohet edhe për fshehje pasurie, pasi dyshohet se është pronari “faktik” i restorantit “Gzona” te Kalaja e Tiranës, si dhe i një automjeti që e ka në emër të bashkëpunëtorit të tij, po ashtu në burg, Ermal Kurtulaj./ Zoom.al