zoom

Aktualitet

Bëni kujdes! Mashtrim i ri me SMS për blerjet online, mos e hapni linkun. Asnjë reagim nga Posta

Një tjetër mashtrim i ri kibernetik po ndodh aktualisht në vendin tonë, ku qytetarët po peshkohen nga hakerat përmes një mënyre të re.

Zoom.al mëson se SMS-ja që po qarkullon në celularë ngjason si një njoftim i Postës Shqiptare, për një dërgesë të pamundur, ku shkak thuhet se është bërë një problem teknik.

Për të marrë informacion dhe zgjidhur këtë problem të stisur, qytetari që pret një dërgesë, i kërkohet të klikojë një link. Në një kohë kur blerjet online janë masive dhe secili prej nesh mund të jetë në pritje të një porosie, e bën skemën në fjalë të suksesshme.

Ka informacione se SMS-ja po shpërndahet kudo me ritme të larta, duke përdorur emrin e Postës Shqiptare dhe ende nuk ka asnjë reagim nga autoritetet e Sigurisë Kibernetike apo vetë institucioni në fjalë për masat e marra apo sqarimin e qytetarëve që të mos bien pre e këtij mashtrimi.

“Pakoja juaj ka mbërritur në magazinë, por nuk mund të dorëzohet për shkak të informacionit ose adresës jo të plotë. Klikoni linkun tani,”- shkruhet në mesazh.

“Është një mashtrim i mirëfilltë,”- bën me dije një specialist IT-je për Zoom.al.

Këshillohen të gjithë qytetarët që bëjnë blerje online, nëse marrin këtë mesazh në adresë elektronike apo si SMS telefonik, të mos e klikojnë dhe të interesohen për sqarime të mëtejshme apo ta denoncojnë rastin. /ZOOM.AL/