zoom

Politikë

BE-ja dhe Gjermania mbështesin zgjatjen e vetingut: Moment historik

Ambasadori i BE në vendin tonë ka përshëndetur votimin e zgjatjes së mandatit të vettingut. Partia Demokratike bashkoi votat me socialistët për ndërhyrjet kushtetuese.

Sipas diplomatit kjo ishte në votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Soreca gjithashtu ka përshëndetur edhe votimin për ngritjen e komisioneve për reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.

“Sot Parlamenti i Shqipërisë tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara drejt anëtarësimit! Urime deputetëve të forcave politike që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi”, shkruan Soreca ndër të tjera.

“Kjo ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE. E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit. Përshëndes gjithashtu vendimet e rëndësishme të marra nga Kuvendi për të çuar përpara në komisionet për punën e Reformës Zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODIHR, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e arritura deri më tani nga propozimet e PD”, shkruan ai më tej.

Miratimi me 118 vota i zgjatjes së afatit të vettingut është përshëndetur gjithashtu edhe nga ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf.

“Parlamenti shqiptar ka shprehur sot në mënyrë të qartë vullnetin e tij për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE. Përgëzoj të gjithë deputetët, që votuan për vijimin dhe përmbylljen e procesit të verifikimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, e kësisoj për reformën në drejtësi dhe shtetin ligjor. Përshëndes faktin që pjesë të opozitës parlamentare mundësuan këtë vendim me shumicë të cilësuar, duke e mbështetur atë në mënyrë konstruktive. Kjo është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan Zingraf.