zoom

Politikë

BE injoron ankesat e Ramës dhe mbështet hapur Lulzim Bashën

Bashkimi Europian po e mbëshet hapur Lulzim Bashën në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Pas komisioneres së Arsimit, Maryia Gabriel dhe komisionerit për buxhetin, Johannes Hahn, në një takim online me kreun e Partisë Demokratike për të dëgjuar programin e PD-së, është përfshirë edhe numri dy i Komisionit Europian, zëvendëspresidenti dhe njëkohësisht Komisioneri për Mënyrën Europiane të jetesës, Margaritis Schinas.

Zyrtari i lartë i BE i tha Bashës se duhet të jetë krenar për rolin e tij në liberalizimin e vizave, një çështje kjo ku Basha e ka vënë theksin gjatë kësaj fushate.

“Ju personalisht si ish-Ministër i Brendshëm, keni shumë arsye për t’u krenuar me atë që është bërë tashmë dhe natyrisht ky liberalizim i vizave nuk është një gjë e lehtë dhe nuk ishte e sigurtë. Ju e dini sa komplekse ishte dhe këshilla ime është të mos tregoheni shumë modestë në lidhje me të. Kjo është diçka që ju, si udhëheqës dhe si individ, duhet ta tregoni më shumë, si diçka në politikë që ka ndryshuar gjërat për mirë”, i tha ai Bashës.

Zëvendëspresidenti i KE dëgjoi shqetësimet e kryetarit të PD-së edhe për korrupsionin qeveritar, kriminalitetin, krizën ekonomike, largimin e të rinjve që e quajti një katastrofë kombëtare. Ai u informua edhe procesin e vaksinimit dhe ofroi mbështetje për planin e vaksinimit, duke qenë edhe përgjegjës në BE për vaksinimin.

Zv.Presidenti Schinas u shpreh se ky është ligjërimi në Europë: një domosdoshmëri për një lloj normalizimi i politikës dhe nxitje e njerëzve që të shohin se mund të ecet përpara.

Basha u angazhua që “brenda 100 ditëve të para të qeverisë sime ta bëjmë të mundur hapjen e negociatave” dhe Schinas tha se negociatat do të ishin të mundura pas 25 prillit.

Ky takim online i zëvendësit të presidentes Ursula Von Der Leyen vjen pas ankesave që kryeministri Edi Rama i ka dërguar Komisionit Europian për përfshirjen e komisionerëve në fushatën e PD, apo “futje hundësh” sic është shprehur ai.

“Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre! Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë video-muhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE”, ishte reagimi i Ramës pasi pa takimin e Bashës me komisioneren për Arsimin.

Siç duket, ankesat e Ramës është injoruar nga Komisioni Europian, që po e mbështet hapur Bashën në këtë fushatë, duke zhvilluar takime e duke biseduar më të për programin e PD apo për çështjen e vaksinimit, ndryshe nga sa po vepron me Ramën, me të cilin nuk ka pasur asnjë takim të këtij niveli. /Zoom.al