zoom

Bota

BE hakmerret pas hyrjes në fuqi të tarifave të Donald Trump për çelikun dhe aluminin

Bashkimi Evropian do të vendosë tarifa hakmarrëse mbi 26 miliardë euro ndaj mallrave amerikane në përgjigje të tarifave të SHBA-së për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit.

Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se ndihen të keqardhur për marrjen e këtyre masave.

“Tarifat janë taksa. Ato janë të këqija për biznesin dhe akoma më keq për konsumatorët. Këto tarifa po prishin zinxhirët e furnizimit. Ato sjellin pasiguri për ekonominë”, thotë ajo.

“Bashkimi Evropian duhet të veprojë për të mbrojtur konsumatorët dhe biznesin. Kundërmasat që marrim sot janë të forta, por proporcionale”, deklaroi Von der Leyen.

Komisioni Evropian tha se do t’i japë fund pezullimit aktual të tarifave për produktet amerikane më 1 prill dhe gjithashtu do të paraqesë një paketë të re kundërmasash për mallrat amerikane deri në mes të prillit.

“Ne jemi gati të përfshihemi në dialog . I kam besuar komisionerit të tregtisë Maros Sefcovic të rifillojë bisedimet e tij për të eksploruar zgjidhje më të mira me SHBA”, u shprej Ursula von der Leyen.

Masa, e cila vendos një tarifë të sheshtë për çelikun dhe aluminin që hyn në SHBA në 25% dhe i jep fund të gjitha përjashtimeve të vendit nga taksat, ka të ngjarë të përshkallëzojë tensionet me disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës.

Kjo shkaktoi një përgjigje të menjëhershme nga Bashkimi Evropian, i cili tha se do të vendosë kundër tarifa për miliarda euro mallra amerikane.

Trump shpreson se tarifat do të nxisin prodhimin e çelikut dhe aluminit në SHBA, por kritikët thonë se kjo do të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë dhe do të dëmtojë rritjen ekonomike.

SHBA është një importues kryesor i aluminit dhe çelikut, dhe Kanadaja, Meksika dhe Brazili janë ndër furnizuesit më të mëdhenj të metaleve.

Postime të lidhura