zoom

Aktualitet

BBC: Krim dhe luks – Brenda shtëpive të shqiptarëve ku rritet kanabisi

BBC i ka kushtuar një artikull bandave kriminale shqiptare që trafikojnë njerëz në Britaninë e Madhe duke i detyruar të punojnë në fermat e kanabisit.

Në artikullin me titull “Goditje bandave të kanabisit të skllavërisë moderne shqiptare” thuhet se policia e Mançesterit arrestoi 46 shqiptarë në vitin 2023 dhe gjeti më shumë se 10 milionë paund kanabis.

Në artikull theksohet se bandat shqiptare kanë “blerë” njerëz për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar në fermat e kanabisit. Sipas të njëjtit shkrim grupet kriminale blejnë makina të shtrenjta dhe rroba e ora të stilistëve të njohur.

Në këtë mënyrë ata kthehen në vendin e tyre gjë që inkurajon një brez tjetër kriminelësh të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar, citon shkrimi.

Shkrimi i plotë

Policia thotë se po godet bandat kriminale shqiptare që kontrabandojnë njerëz në Britaninë e Madhe dhe i detyrojnë të punojnë në fermat e kanabisit. Policia e Mançesterit arrestoi 46 shtetas shqiptarë në vitin 2023 dhe gjeti më shumë se 10 milionë paund kanabis. Policia e Mançesterit tha se njerëzit ishin të detyruar të punonin në kushte të tmerrshme, ndërsa bosët e tyre kriminelë bënin pasuri të konsiderueshme.

Drejtuesi i policisë, Joe Harrop thotë se grupet nga Ballkani Perëndimor ishin fokusi i një operacioni që kishe përfshirë forca policore nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar.

“Shpesh, bandat shqiptare kanë blerë njerëz për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar në vende si fermat e kanabisit. Këto janë kushte të tmerrshme. Ata jetojnë dhe flenë brenda fermave dhe nuk mund të largohen. Ata mirëmbajnë bimët të cilat shpesh janë në faza të ndryshme të rritjes në dhoma të ndryshme. Drejtuesit e këtyre grupeve të krimit fitojnë një sasi të madhe parash” – tha Harrop.

Ai tha se këto grupe blejnë “makina të cilësisë së lartë” dhe rroba dhe ora të stilistëve, dhe më pas kthehen në vendin e tyre “duke u mburrur më këtë pasuri”, gjë që inkurajon “një brez tjetër kriminelësh të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar”.

Sekuestrimet

Si pjesë e një hetimi midis majit dhe nëntorit 2023, oficerët morën dijeni për një shqiptar që besohej se po kontrollonte të tjerë në prodhimin në shkallë të gjerë të kanabisit në të gjithë rajonin. Duke identifikuar anëtarët e nivelit më të lartë të bandës, policia ishte në gjendje të bënte disa arrestime të këtij rrjeti.

Në vitin 2022, policia bëri 10 788 sekuestrime kanabisi dhe në vitin pasardhës kjo shifër u rrit në 13 247 raste. Në shtator 2024, katër burra nga Shqipëria morën dënime të gjata me burg për drejtimin e fabrikave të kanabisit. Policia po punon me këshillat, shkollat dhe spitalet në Mançester për trajtimin dhe edukimin e çështjeve të drogës si pjesë e strategjisë.

Dr. Jon Davies, një kriminolog në Universitetin e Mançesterit, u shpreh: “Në Bury, ka pasur prova që restorantet dhe agjentët e udhëtimit kanë ndihmuar në krijimin e një fronti biznesi për të pastruar paratë. Sigurisht, nuk ka gjasa që viktimat të jenë në zyrën e pasme të atij biznesi apo dyqani, por ato do të ndodhen në shtëpi. Ka një operacion të tërë atje për të ndaluar zbatimin e ligjit nga zbulimi i atij aktiviteti.”

Shifrat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se, në fund të marsit 2024, më shumë se 1200 shqiptarë mbaheshin në burgjet në Angli dhe Uells – më shumë se çdo kombësi tjetër e huaj.

Amy Bond, shefi operativ i shoqatës bamirëse kundër skllavërisë moderne Causeëay, tha se “shumica e njerëzve që kanë ngecur në skllavërinë moderne janë të bllokuar duke u shfrytëzuar në punë në gjëra të tilla si fermat e kanabisit. Ka pasur një kalim nga bandat vietnameze në ato shqiptare. Bandat sjellin njerëz në këto mjedise dhe do u premtojnë atyre një punë. Viktimat më pas përfshihen në punë të paligjshme dhe nuk mund të largohen sepse kanë frikë nga ndjekja e tyre”.