zoom

Aktualitet

Bashkëshorti rrëfen makthet e 41-vjeçares për profilin fals të TikTok. Pse Policia s’e parandaloi?

Teksa hetimet për ngjarjen e dhimbshme të Durrësit janë në proces dhe aktive, zbardhet dëshmia e bashkëshortit të 41-vjeeçares që vrau veten, duke pirë fostoksinë, më datë 2 janar, teksa sot u konfirmua edhe ndarja nga jeta në spital.

Ai ka thënë se ajo ishte tepër e shqetësuar për profilin që i kishin hapur, ku e fyenin dhe ofendonin.

“27 dhjetor kam mbërritur në Shqipëri. Gruaja ka pasur stres dhe ankth kohët e fundit, mund të ketë kryer këtë veprim si pasojë, pasi rreth një vit më parë persona të paidentifikuar i kanë hapur një adresë në Tik Tok në emrin e saj, dhe për këtë ka bërë kallëzim penal… natën para ngjarjes, gruaja ka qenë në rregull dhe nuk ka pasur shqetësime dhe kemi festuar natën e Vitit të Ri.

Por prej kohësh ajo kishte shfaqur ide se nuk përballonte dot foton që i kishin publikuar në Tik Tok.

Kur u ngrita në mëngjes e pashë të shtrirë te dhoma e ndjenjës, në mes të shtëpisë. E çova në spitalin e Durrësit dhe aty më thanë se ka pirë fostoksinë dhe e nisën në Tiranë”, ka deklaruar bashkëshorti.

Policia e ka edhe atë nën hetim si person prezent dhe që ka dijeni, pasi po verifikohet edhe një grindje në familje me pasojë aktin fatal, po me shkak adresën e TikTok.

Gjithashtu do pyeten edhe kolegët e punës dhe hetohen autorët që hapën profilin fals, teksa Njësia C dhe Policia e Durrësit prej një viti duket se s’e parandaluan dot krimin dhe të shmangnin tragjedinë. /ZOOM.AL/