Aplikacion
Gazetarët tentuan ta ndërpresin disa herë, duke i kërkuar të mos bëjë politikë, të interesuar më shumë se për çfarë ishte pyetur.
Ai insistoi që ta çonte mesazhin e tij deri në fund, aq sa u kërkoi disave prej gazetarëve që të merrnin kamerat e të iknin nëse nuk dëshironin ta dëgjonin.
Po cili ishte mesazhi kaq i rëndësishëm që kishte për të dhënë Basha?
Zoom.al e dëgjoi disa herë fjalën e kryetarit të PD. Në morinë e akuzave të përsëritura kundër qeverisë dhe Sali Berishës, ai përmendi edhe diçka që kishte të bënte pikërisht me çështjen për të cilën ishte thirrur.
“Punonjësit e ndershëm të SPAK dhe BKH kanë dhe do kenë mbështetjen e plotë të PD për të ecur përpara me hetimin e çështjeve nën juridiksionin e tyre. Nuk janë vartësit e askujt përveç ligjit shqiptar kushtetutes dhe taksapaguesve shqiptar. Dhe një herë deklaroj mbështetjen e plotë ndaj tyre për të kryer detyrën në një luftë shumë të rreptë me krimi e organizuar sepse është bërë e tillë fale bashkëpunimit të qeverisë, të pushtetit dhe politikave të korruptuar dhe lidhur me krimin e organizuar.”
Në pamje të parë duket si një deklaratë krejt normale që një politikan do të bënte për organet e drejtësisë. Por kur kujton lumin e akuzave të tij dhe opozitës që përfaqëson ndaj SPAK, për zvarritje çështjesh apo për urdhra politikë, ndryshimi i qëndrimeve ngre dyshime të mëdha. Jo se Basha nuk shquhet për inkoherencë, por kur ka ndryshuar qëndrime e ka bërë gjithnjë në këmbim të diçkaje.
Cila është arsyeja që sot SPAK do të ketë mbështetjen e PD dhe nuk është më SPAK-u me “zotërinjtë që inkurajonin vjedhjen dhe hajdutërinë, bashkëpërgjegjës për zhvatjen e parave të shqiptarëve nga qeveria”, SPAK-u që “kushedi çfarë e pengonte të hetonte inceneratorët”, SPAKU që “nuk tregohej serioz me kallëzimet e PD”?
Kjo pjesë e deklaratës së Bashës ka të bëjë pikërisht me “Toyta Yaris”. I vënë përballë prokurorit federal belg që po heton këtë aferë, Basha nuk ka mundur të japë detaje se si ai e mori informacionin se brenda një makine të nisur nga Belgjika fshiheshin 3.4 milionë euro kur makina nuk ishte ndaluar ende nga policia.
Prokurorët belgë nuk kanë mundur t’i nxjerrin informacionet që duan dhe i kanë bërë të ditur kryetarit të PD se nuk do të ndalen e do të përdorin çdo instrument ligjor për ta detyruar të tregojë.
Dhe Basha përgjigjen që s’mundi t’ua japë brenda, ua dha jashtë. Ai u tha belgëve se kjo çështje është hetuar një herë nga prokuroria shqiptare dhe SPAK. Ai u tha atyre se kjo çështje është nën juridiksionin e SPAK dhe se prokurorët e SPAK nuk janë në varësi të belgëve, por të ligjit dhe kushtetutës shqiptare, ligj i cili thotë se një çështje e gjykuar nuk mund të gjykohet sërish nëse nuk ka prova të reja për të.
Në 24 qershor të vitit 2018 Basha do të bënte këtë deklaratë në parlament.
“Njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para 3 ditësh (i drejtohet Taulant Ballës). Mbajeni mend këtë që po ju them. Dhe ka porositur një Toyota Yaris. Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milionë të euro drogës brenda. Vazhdo qesh. Do e shikosh se çfarë do të tunden para hundësh shumë shpejt”.
48 orë më vonë, në portin e Durrësit u ndalua një karroatrec me një “Toyota Yaris”. Brenda u gjetën 3.4 milionë euro. U kapën Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri. Në Belgjikë u proceduan Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.
Në tetor të 2021 Gjykata e Tiranës dënoi me 1 vit e 6 muaj burg Ervis Vladin për “mosdeklarim të ardhurash në kufi”.
Belgët duken të pakënaqur. Për ta, çështja s’mund të mbyllet me kaq. Ata duan të dinë burimin e parave dhe destinacionin e tyre.
Për njërin nga prokurorët belgë, gazetari Artan Hoxha tha se nuk di të ndalet. “I ndjek grupet tona (grupet kriminale shqiptare në Belgjikë) deri në shtëpitë e tyre.”
Nga Basha belgët duan të dinë se si e mori informacionin dhe a ka të dhëna të tjera. Atyre u bën çudi fakti se si Basha nuk po bashkëpunon. Deri tani, prokurorët belgë e kanë kryetarin e PD-së në listën e personave që ka dijeni për faktet. /Zoom.al