Aplikacion
Fillimisht e akuzoi për lidhje me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, një shtëpi e rrënuar në fshatin Gurrë të Matit, ku sipas raportit të Dick Marty dhe librit të ish –kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, dy persona të akuzuar për lidhje me Serbinë, është kryer trafik organesh.
Edi Rama: “Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”
Më pas, i tha se PD kishte votuar në Këshillin e Europës pro raportit të Dick Marty-t, që ngriti akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit për drejtuesit e UÇk. Plot 5 postime me të njëjtin qëllim. Vorbulla që krijoi Rama e arriti qëllimin. Disa gazetarë u përfshinë në këtë histori për të hedhur dritë mbi të.
Elona Meço, një gazetare me përvojë që sot punon si drejtore e zyrës së shtypit në PD, publikoi disa informacione, që sipas saj çmontojnë akuzat e Ramës dhe provojnë se ai gënjen.
Elona Meço: “Edi Rama gënjen për qendrimin e Shqipërisë ndaj raportit të Dick Marty. Ky raport nuk u votua kurrë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Janar 2011, sepse raportet nuk votohen. Në Asamble, Shqipëria votoi pro një rezolute, e cila kërkonte hetim për çështjet e ngritura në raportin e Dick Marty. Rezoluta i bën thirrje Eulex-it, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë etj që të ndihmojnë me hetimin. Pra, vota nuk është pro raportit të zotit Dick, por pro rezolutës. Raporti mund të prodhonte vetëm zhurmë, e cila mbahej e ndezur vetëm nëse Shqipëria do të votonte kundër rezolutës, që kërkonte mbështetje për hetimin e akuzave. Sot, thashethemet e zotit Dick mbahen gjallë vetëm nga zoti Edi. Për luftë të brendshme politike apo për interesa të tjerë, si ato të raportit të Dick Marty, le të na e thotë ai.”
Top Channel nxorri nga arkivat shkrimin e një gazete zvicerane “Le Temps”, sipas të cilës, një antropolog peruan që kishte qenë pjesë e grupit hetimor në “Shtëpinë e Verdhë”, kishte përmendur Lulzim Bashën si njeri që kishte mbledhur të dhëna.
Kronika e Top Channel- Jose Pablo Baraybar: “Përkthyes im quhej Lulëzim Basha, dhe ai ka punuar si mbledhës të dhënash përmes përkthimit për Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish- Jugosllavinë. Më vonë ai u bë Ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe unë e kam dëgjuar vitin e kaluar të deklarojë se kjo histori e organeve është asgjë. Tani unë po them çfarë ai ka thënë. Ai ishte me mua. Ai ka regjistruar dëshmitë bashkë me mua. Ai kishte dosjen”, tha Jose Pablo Baraybar, antropolog mjeko-ligjor nga Peruja, i cili ka punuar si një ekspert i OKB-së në pjesën më të madhe të skenave të krimeve të luftës dhe genocidit në botë si në Haiti, Ruanda, Bosnjë, Kroaci dhe natyrisht Kosovë.” (kronika e plotë e Top Channel – https://www.youtube.com/watch?v=qefTpQlnVb4)
Por gazetari Habjon Hasani i dha zë një interviste të vjetër që ai kishte realizuar me mjekun peruan, që citohej nga gazeta zivecaren dhe që Rama e përmendi në përpjekjen e tij për të lidhur Lulzim Bashën me atë që po i ndodh sot Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Ai kritikoi fort edhe kronikën e Top Channel, si “nje turp, bazuar ne nje shkrim te genjeshtert te nje gazete zvicerane”, ndërsa ribotoi në faqen Hashtag.al intervistën e tij me mjekun peruan.
Habjon Hasani: “Eksperti i OKB-së Jose Pablo Baraybar mohoi kategorikisht të ishte shprehur për gazetën zvicerane “Le Tiemps” se kur kishte vizituar “Shtëpinë e Verdhë” ai shoqërohej nga Lulzim Basha. “Unë kurrë nuk kam thënë dhe e përsëris, kurrë, se zoti Basha ishte me mua në Shtëpinë e Verdhë. Nëse kjo është botuar ka qenë një citim i gabuar.”, – u përgjigj eksperti duke demontuar me një fjali gjithë tymnajën e ngritur në Tiranë”. (Shkrimi i plotë – https://hashtag.al/index.php/2020/11/09/deshmia-ekskluzive-eksperti-i-okb-gazeta-zvicerane-ka-shpifur-lulzim-basha-ska-qene-me-mua-ne-shtepine-e-verdhe/
Por Top Channel insistoi në versionin që i përafrohej akuzave të Edi Ramës ndaj Lulzim Bashës. Gazetari Muhamet Veliu, intervistoi avokatin që mbrojti në Hagë Ramush Haradinajn. Tom Gashi e përmendi Bashën si zyrtar të lartë të UMNIK dhe e lidhi atë me hetimet e dala nga raporti i Dick Marty.
Muhamed Veliu: Përmendët rrolin e Lulzim Bashës në UNMIK por kush ka qenë shefi i tij në Kosovë?
Avokat Tom Gashi: Shefi Lulzim Bashës në fund të mandatit të UNMIK ka qenë prokurori amerikan Clint Williamson. Ky prokuror është ai i cili e ka hetuar raportin e senatorit Dick Marty të cilin nga një dokument politik e ka shndërruar në dokument juridiko-penal. Clint Ëilliamson ka qenë prokuror I njohur për shumë vite në Kosovë dhe ka punuar si drejtor në departamentin e drejtësisë, pra ka pasur rol kryesorë në drejtësinë e Kosovës dhe Lulzim Basha publikisht dihet që ka qenë në atë punë dhe rroli i tij ka qenë një prej zyrtarëve më të lartë në transferimin e çështjeve nga UNMIK tek vendorët. Sigurisht që këtu konsiderohen edhe dosjet penale dhe civile të cilat janë transferuar.
Deri tani asnjë media tjetër nuk është përfshirë në debatin që ngriti Rama, duke përdorur për politikë të brendshme atë që po u ndodh ish-krerëve të UÇK. Nga gazetarët e pakët që u përfshinë, ndarja është e qartë, njëra pjesë që nxjerr Ramën si gënjeshtar dhe Top Channel që me gazetarët e tij rrëmon të mbështesë deklaratat e kryeministrit, të cilat deri tani janë të babaza, përderisa nuk ka publikuar ende ndonjë dokument që i vërtetojnë ato. /Zoom.al