Aplikacion
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe bashkëpunim me strukturat e Bashkisë së Tiranës për të penguar drejtësinë me protestën përpara SPAK e GJKKO ndërkohë që Erion Veliaj njihej me masën e sigurisë.
Në një deklaratë të fortë, Bardhi e ka quajtur drejtorin e Policisë një “horr bandash” që i ka lejuar drejtorët e Erion Veliajt të protestojnë përprara ambienteve të punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke ushtruar trysni dhe dhunë psikologjike ndaj tyre. Sipas tij, Policia nuk ka ndërhyrë për të garantuar rendin publik, por ka favorizuar grupet e çuar aty nga drejtorët e Bashkisë, që synojnë të ushtrojnë presion mbi drejtësinë.
“Horri i bandave në krye të Policisë së Shtetit që lejon turmën e batakçinjëve të Bashkisë së Tiranës që të pengojnë makinat e prokurorëve, gjyqtarëve dhe të korruptuarit Erion Veliaj të hyjnë e dalin lirisht nga GJKKO, duke refuzuar të marrë masat për të garantuar rendin publik duhet të shkarkohet e ndiqet menjëherë penalisht për shpërdorim detyre. Guximi i tij për të lejuar turmën e drejtorëve batakçi të BT për të sulmuar në ambinetet e punës gjyqtarë e prokurorë, është guxim prej krimineli që me ndërgjegjie shkel ligjin. Duhet ndëshkim, menjëherë” – thuhet në një deklaratë të kreut të grupit parlamentar të PD.
Ndërkohë që ndaj protestuesve të opozitës apo qytetarëve të zakonshëm policia ka reaguar me dhunë, në protestën e Bashkisë përpara SPAK, policia e Prodës dukej e bërë njësh me protestuesit e madje qëndronte pas tyre.
Ky menaxhim i policisë ngre dyshime të forta, në një kohë kur SPAK i ka sekuestruar telefonin vetë Prodës si pjesë e një hetimi për nxjerrje informacioni në një operacion për goditjen e grupit të Suel Çelës në Elbasan kur Proda ishte drejtor policie në këtë qytet.
Ky nuk është rasti i parë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda vihet në qendër të akuzave.
Zoom.al ka raportuar më parë për përfshirjen e tij në çështje të dyshimta, duke nisur nga mbyllja e syve ndaj aktiviteteve të paligjshme të grupeve kriminale të lidhura me pushtetin, e deri te shpërdorimi i burimeve policore për interesa politike.
Në disa raste, Policia e Shtetit është vënë nën akuzë për përdorimin selektiv të forcës dhe mungesën e ndërhyrjes ndaj individëve dhe grupeve të caktuara, duke krijuar një kulturë pandëshkueshmërie për të fortët e pushtetit.
Mbetet për t’u parë nëse Partia Demokratike dhe opozita do ta vendosin Prodën në fokus të denoncimeve të tyre teksa fushata elektorale po afron dhe policia pritet të ketë jo pak rol në këtë proces. /Zoom.al