zoom

Lajme

Bardh Spahia i pandehur/ Luçiano Boçi “shpërthen” ndaj SPAK: Heto Veliajn dhe Becin!

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi reagoi këtë të enjte pasi SPAK mori të pandehur një ditë më parë Bardh Spahinë.

Ish-kryebashkiaku i Shkodrës akuzohet për shpërdorim detyre, pasi u kallëzua nga shtetasi Mark Molla, që pretendon se ish-kryebashkiaku e ka shkarkuar nga detyra si drejtor i ujësjellësit, pa të drejtë.

Por për Boçin, kjo çështje tregon hetimin politik që SPAK bën, për të treguar që po punon.

Ai i bëri thirrje SPAK që të mos humbasë kohë me çështje të paqena dhe padi të pabazuara, por të hetojë figura të tilla si Erion Veliaj dhe Benet Beci, që vërtet kanë bërë shkelje.

Reagimi i Luçiano Boçit:

Thirrja në SPAK e ish-kryebashkiut të Shkodrës, anëtar kryesie i PD, është shembulli më i qartë i standardit të dyfishtë të këtij institucioni dhe përdorimit të tij si mashë politike e qeverisë. Bardh Spahia u thirr para tri ditësh për herë të tretë, për tu pyetur për një padi qesharake, si ajo e moszbatimit të një vendimi gjykate gjatë kohës kur ishte kryebashkiak. SPAK, si për ta dëshmuar anësinë politike dhe zellin e persekutimit të opozitës, para pak ditësh ia ka përcjellë Prokurorisë së Fierit një dosje tjetër qeveritare, rastin e korrupsionit të kryebashkiakes socialiste, Majlinda Bufi.

Pra, e ka zhgraduar në një prokurori më të ulët për ta mbyllur çështjen. Njësoj si dosjet e krimit zgjedhor ‘184’ dhe ‘339’. Për ta sqaruar për publikun dhe mediat se, çfarë ka bërë Bardh Spahia që thirret në SPAK, është shumë e thjeshtë. Si kryetar bashkie ai ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Ujësjellësit të Shkodrës, një person me precedentë penalë, për paaftësi dhe sabotim të detyrës. Duhet shtuar këtu se edhe KLSH ka kërkuar shkarkimin e këtij drejtori për shkelje.

Drejtori në fjalë, ka arritur që brenda ditës së njoftimit për shkarkimin, ka bërë ‘sigurimin e padisë’, pra bllokimin e urdhërit të kryebashkiakut. Këtë ndihmë ia ka dhënë gjyqtari famoz Andri Ymeri, i shkarkuar nga Vetingu. Gjyqtari i ka kthyer drejtorit ‘nderin’ e punësimit në Taskë-Forcën e Ujësjellësit të kunatit të vet.

Kunati i gjyqtarit Andri Ymeri, i punësuar nga drejtori Mark Molla si drejtues i Task Forcës së Ujësjellësit-Shkodër, është Pëllumb Prençi, ish-prokuror i Pukës, i shkarkuar në 2014 për përfshirje në skandalin e dhënies së drejtësisë ne këmbim te parave. Ja pra pse është thirrur 3 herë në SPAK Bardh Spahia, për shkarkimin nga puna të një vartësi të paaftë dhe të korruptuar. Ndërkohë Erion Veliaj, të cilit i kanë dalë të gjithë drejtorët e korruptuar dhe hajdutë, është thirrur me ‘gjysmë zëri’ vetëm 2 herë.

Ndërkohë Benet Beci, krybashkiaku që rri dorë për dore me bandat e blinduara të Shkodrës, i kapur në korrupsion madhor ‘gjoja rastësisht’ nga vetë SPAK, trajtohet ende si koleg vetëm për arsye shtetërore zgjedhore. Ky është SPAK-u, dhe këto janë shkeljet flagrante të ligjit që sheh opozita kur e denoncon atë, me fakte dhe prova.

SPAK, në vend që ta kishte pushuar çështjen, që ditën e pare, e ka thirrur tri herë eksponentin e Partisë Demokratike për ta vënë para gijotinës së kamerave; për t’i bërë reklamë vetes-a e shihni: ne po punojmë!, Por, qëllimi final është një: pengimi i opozitës në fushatën zgjedhore. Me këtë synim, në vend që ta pushojë çështjen, SPAK kërkon ta çojë në Gjykatë.

Gjykata, siç e ka provuar ‘rasti Berisha’ në Shqipëri, ‘rasti Trump’ në Amerikë, apo ‘Berlusconi’ në Itali, janë forma më e mirë e pushtetit për të penguar dhe dëmtuar kundërshtarin politik. Ndërsa i turren Bardh Spahisë me ‘bukë në trastë’, 150 mijë dosje shqiptarësh që presin zgjidhje për pronat, shtëpitë, divorcet e qindra halle të tjera, zënë pluhur në bodrumet dhe sirtarët e drejtësisë. Por kjo nuk vlen. E rëndësishme është që SPAK- që i prin drejtësisë me shpatën anti-opozitare në dorë, del mirë në sondazhet e porositura nga qeveria.

Related Posts