Aplikacion
Në disa vlerësime të bëra nga BSH, me anë të Modelit të Parashikimit Afatmesëm, i përdorur për të gjeneruar projeksionet makroekonomike dhe për të informuar vendimmarrjen e politikës monetare, rezultoi se inflacioni do të ishte 0.4% më i lartë dhe euro 1.6% më e ulët.
Rezultatet e simulimeve treguan se, në mungesë të reagimit të politikës monetare, norma e inflacionit do të ishte rreth 0.4 pikë përqindje më e lartë në vitin 2022 dhe mesatarisht 6.5 pikë përqindje më e lartë gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Një nga efektet kryesore të një dobësimi të mundshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor mund të ishte edhe keqësimi i cilësisë së kredisë në valutë të sektorit bankar.
Sipas vlerësimeve, dobësimi i kursit të këmbimit do të sillte një rritje të kredive me probleme, të vlerësuar në masën 1.4 pikë përqindjeje për vitin 2022 dhe mesatarisht 5.6 pikë përqindjeje gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Simulimet, megjithatë, janë teorike dhe selektive, duke mos në konsideratë, për shembull, efektin e rritjes së normave të interesit në raportin e kredive me probleme, që, në mungesë të rritjes së normave të interesit ndoshta do të kishte qenë më i ulët.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, këto rezultate sugjerojnë se normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka sjellë përfitime të prekshme për stabilitetin monetar e financiar të vendit.
Në të njëjtën linjë, ato sugjerojnë se një reagim i vonuar i politikës monetare ndaj rritjes së presioneve inflacioniste, do të duhej të ishte mjaft më i fortë dhe do të kishte kosto më të mëdha për ekonominë shqiptare.
Banka qendrore vlerëson se, kur të faktorizohen edhe kohëvonesat e përçimit të sinjalit të politikës monetare në tregun financiar, e më tej në ekonominë reale, kursi i normalizimit të politikës monetare do të ndihmojë në stabilizimin e ekonomisë dhe në kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2024.