zoom

Politikë

“Balluku simbol i babëzisë”, Berisha: Bën fushatë me kriminelë elektoralë

Kryetari demokrat Sali Berisha ka akuzuar sot zv.kryeministren Belinda Balluku se po bën fushatë me persona me rekorde kriminale në qarkun e Dibrës. Ai e cilëson atë si simbol të babëzisë.

Duke folur në një takim me banorë të Klosit dhe Matit, ai tha se ‘kriminelët elektoralë’ do të ndiqen penalisht pas zgjedhjeve.

Berisha shton më tej se vota për Skënder Gjucin dhe Bedri Hoxhën është votë për ndryshimin e Matit dhe Klosit, është votë për përmbysjen e monizmit, për largimin e të gjithë pushtetit nga duart e një hajduti, siç është Edi Rama dhe klonet e tij.

“Këtu kanë sjellë një zonjë “Balluken”. Ajo është simboli i babëzisë. Se si mund të dalë ajo para këtyre nënave dhe motrave, ajo e di vetë. Ka shpenzuar vetëm për zyrën e saj 220 mijë euro. Po turp më të madh nuk ka. Në një kohë kur të rinjtë tanë marrin gomonet për të siguruar kafshatën. Një ministre që porosit 1 mijë euro biftekun nuk meriton asnjë minutë me qenë ministre. Sjell këtu një ushtri të tërë kriminelësh elektoralë, drejtorë ujësjellsish dhe ndërmarrjesh. Secili prej tyre është kriminel elektoralë dhe i garantoj se bashkë me Belindën dhe Edi Ramën do ndiqen deri në fund. Ajo mbledh edhe trafikantë e delikuentë nëpër takime. E dini pse? Nuk ka më frikacak se hajduti mbi tokë. Këta qarkullojnë të tmerruar nga vjedhjet që kanë bërë.

Këta janë sekti i vjedhjes. Rilindje do të thotë, vjedhje, mashtrim, mashtrim dhe vjedhje. Ndaj dhe kurrë ndonjëherë shqiptarët në një palë zgjedhje nuk kanë votuar më shumë se kësaj radhe për veten e tyre, për qenien e tyre, për mbrojtjen e tyre nga një hajni e paimagjinueshme.

Vota për Skënder Gjucin dhe Bedri Hoxhën është mbi të gjitha votë për ndryshimin e Matit dhe Klosit, është votë për përmbysjen e monizmit, për largimin e të gjithë pushtetit nga duart e një hajduti, siç është Edi Rama dhe klonet e tij.

Çdo biznesmen i Burrelit dhe Klosit, do të ketë një lehtësim të madh në taksa, çdo qytetar do të ketë shërbimet që meriton, çdo fermer, do të ketë subvencionin që meriton. A e dini se çfarë ndodh sot. Në qoftë se Kosova jep 400 euro për hektarë grurë, Edi Rama jep 43 euro për hektarë. Por kush i merr ato 43 euro. Fermeri merr vetëm 3 euro, 40 euro i marrin Agronët e tij, i marrin hajdutët e tij nëpunës.”– tha Berisha.