zoom

Ekonomi

Balluku paralajmëron shkrirjen e Bordit të Transparencës: Çmimi i karburantit është stabilizuar

Bordi i Transparencës, mund të shkrihet, por vendimi duhet të merret nga Ministria e Financave.

Kjo është përgjigja e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku, e pyetur nëse duhet të ekzistojë më bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve.

Sipas Ballukut vendimi për të hequr Bordin do të ishte i mirëpritur, por qeveria do të vijojë të monitorojë importuesit dhe tregtuesit e karburanteve.

“Bordi nuk ka synim të lehtësoj kostot, por transparencën. Bordi nuk vendos dhe as nuk e ul dhe as nuk e ngre çmimin. Por bën transparente metodologjinë. Se ka një bursë dhe përmes kësaj metodologjie vendoset çmimi tavan. Bursën nuk e lëviz as topi. Bordi mblidhet kur ka ndryshim çmimi. Nuk e vendosim dot ne se kur mblidhet bordi.” tha Balluku.

“Duke qenë që çmimi është stabilizuar, kemi një diskutim për ndalimin e të funksionuarit. I përket Ministrisë së Financave dhe do jetë i mirëpritur si vendim. Shteti do të monitoroj edhe nëse bordi nuk do të jetë ekzistues.” përfundoi ministrja.