zoom

In Zoom

Bajram Begaj, një president kukull në gjurmët e Edi Ramës

Lidhja Demokratike e bojkotoi seancën e parë kur Edi Rama iu drejtua Kuvendit të Kosovës si kryeministri i zgjedhur në shtator të vitit 2013.
Arsyeja e drejtuesve të partisë së themeluar nga presidenti Ibrahim Rugova ishte kjo: “Edi Ramës i ka munguar një pjesë e historisë në fjalimin e tij, ka injoruar historinë dhe kulturën e ndërtimit të shtetit të Kosovës, duke mos përmendur presidentin Rugova”.

Që prej asaj dite marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës kanë njohur kuotat më të ulta, me Ramën që është përplasur hapur me Ramush Haradinajn e Albin Kurtin për shkëmbimin e territoreve me Serbinë apo për afeksionin që Rama ka për Beogradin.

Rama arriti të krijojë edhe një ndarje të thellë edhe mes miqve të tij në Kosovë, (Hashim Thaçi) dhe kundërshtarëv të tij në Shqipëri (Sali Berisha). Që kur ai është në pushtet, Kosova e Shqipëria ngjasojnë me dy fqinj që jetojnë në kufirin e një miqësie që ka përfunduar me kohë, por asnjëra nga palët nuk guxon ta thotë publikisht.

Në këtë kontekst vizita e presidentit Bajram Begaj në Kosovë u prit me mjaft interes, për shkak se ajo u pa si një shans për të zbutur paksa ndasitë dhe për të oksigjenuar sado pak marrëdhëniet e mbytura nga duhma e fjalimeve kritike të Ramës ndaj Prishtinës zyrtare.

Por Bajram Begaj dështoi. Jo se prishtimëritë ishin të mëdha, sepse askush nuk besonte që poshtë kapeles së ish –gjeneralit të ishte rritur politikani i mungur dhe diplomati i spikatur shqiptar, por sepse ai e thelloi më tej përçarjen e ngjizur dhe ushqyer prej Edi Ramës ndër vite.

Dështimi i zhvillimit të një takimi me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, një prej partive politike më të rëndësishme shqiptare, të themeluar nga presidenti Rugova, ishte pjesa kulminante e kësaj vizite, duke parë se Bajram Begaj nuk arriti të prodhojë asgjë tjetër të rëndësishme me fjalimet e takimet e tij.

Analistë e politikanë panë të ky veprim i Bajram Begajt, sa një shtetar që nuk e ka kuptuar ende vendin dhe rolin e tij, aq edhe një individ që nuk del dot përtej hijes së njeriut që e zgjodhi në atë detyrë.

Arsyeja e shmangies së takimit me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, sipas vetë presidentit Begaj, ishte se ai nuk mund ta zhvillonte atë në zyrat e LDK, për shkak se kishte zgjedhur t’i takonte liderët politikë në zyrat e Kuvendit.

Më shumë se arsye, ajo ngjasoi me një pretekst. Presidenti Begaj dhe stafi i tij me siguri i dinin pasojat që do të prodhonte refuzimi i takimit dhe do të duhet në çdo rast të mos e kishin refuzuar atë.

Për të kuptuar se ky ishte vetëm një pretekst, mjafton të kujtojmë sesi Vjosa Osmani, si presidente e Kosovës, i shkoi në zyrë kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në vizitën e saj të parë në Tiranë. Osmani, jo vetëm që nuk u kritikua, por u vlerësua për frymën bashkuese që përçoi në Shqipëri.

Bajram Begaj zgjodhi të ecte në rrugën e Ramës, të fliste me gjuhën e Ramës, pa e përmendur Kosovën e Serbinë, duke mbrojtur Ballkanin e Hapur, të linte të njëjtën shije të hidhur mes qytetarëve të Kosovës që panë nëpërmjet tij, ashtu siç kishin parë përmes Ramës, se Shqipëria u ka kthyer shpinën.

Pa ndonjë surprië, ai dëshmoi se nuk është gjë tjetër veçse një kukull e kurdisur në duart njeriut që e zgjodhi në detyrë dhe që presidenca shqiptare do të drejtohet lehtësisht me telekomandë nga zyra e kryeministrit në anën tjetër të bulevardit. /Zoom.al