zoom

Aktualitet

Babai tregon hap pas hapi si u përkeqësua gjendja e Brianit: U zverdh, ishte në gradën e fundit

Zbardhet kallëzimi që babai i Brian Spahiut, Bledar Spahiu ka bërë për mjekun Roland Xhaxho, i cili kuroi 3-vjeçarin në klinikën e tij dentare private dhe më pas i mituri ndërroi jetë.

Para grupit hetimor, babai i të miturit ka treguar hap pas hapi sesi u përkeqësua gjendja e tij. Sipas Bledar Spahiut, mjeku Roland Xhaxho në fillim ka dhënë garanci se ndërhyrja kishte shkuar mirë dhe se djali gëzonte shëndet të mirë.

“Banoj në adresën e mësipërme dhe aktualisht jam në punë private në Tiranë. Në datë 28.09.2023 rreth orës 10.00 kam çuar çunin e vogël shtetasin Brian Spahiu 3 vjeç tek spitali privat “Roland Xhaxho” në Rrugën e Kavajës për të mjekuar dhëmballën. Ne kemi rënë dakord për shifrën e lekëve që duhet të paguanim, rreth 300 euro dhe 103 mijë lekë të reja në spitalin privat përkatës në lidhje me mjekimin, si me mjekun shtetasin Roland Xhaxho ashtu dhe me stomatologen shtetasen Ina Xhaxho, të cilët na garantuan se fëmija nuk do të këtë asnjë problem. Garanci të cilën na e dhanë dhe pas daljes nga salla e operacionit, pasi ndërhyrja ju bë për rreth tre orë nga ora 10.00 deri në orën 15.20, përfshirë edhe kohën e vizitës. Kur ka dalë doktori Rolandi na tha se operacioni doli me sukses dhe djalit po i del narkoza, do prisni dhe pak sa t’i dalë tamam narkoza. Ndërkohë që po vonohej për të dalë, ne i kemi kërkuar doktorit se si është gjendja e djalit dhe ai na është përgjigjur se gjendja është normale, stabile. Pyetjen e bëmë për dy-tre herë dhe doktori vazhdonte na thoshte se gjendja e djalit ishte normale brenda parametrave”, thuhet në kallëzim.

Siç shpjegon babai i Brianit, duke ndjekur këshillën e mjekut Xhaxho, ata e kanë marrë djalin në shtëpi, ku gjendja e tij u përkeqësua. Në këto kushte, familjarët e kanë dërguar Brianin në urgjencën e QSUT, ku sipas babait, e futën menjëherë në intubim prej gjendjes së rëndë. Aty, shton Bledari, erdhi edhe mjeku Xhaxho.

“Rreth orës 19.00 ne e kemi nxjerrë djalin nga spitali pasi ishte në rregull, por kur e kemi marrë djalin kemi vënë re se djali nuk ishte plotësisht në rregull, pasi nuk ishte i zgjuar dhe për këtë gjë kemi vënë në dijeni doktorin Roland Xhaxho, i cili bëri dhe ndërhyrjen. Kurse ai na është përgjigjur se djali është në rregull, merreni në shtëpi sa t’i dalë narkoza. Ndërkohë na ka dhënë dhe një recetë me ilaçe për qetësim dhe ne ashtu bëmë, e morëm dhe shkuam në shtëpi siç na ka thënë doktori. Por pas 30 minutash që kemi shkuar në shtëpi, djali ka pasur temperaturë, e cila i rritej, por duke qenë se fëmija u zverdh e kemi marrë me urgjencë dhe e kemi sjellë ne pediatrinë tek Qendra Spitalore “Nënë Tereza”. Menjëherë duke parë se gjendja e fëmijës ishte kritike në gradën e fundit, aty e kanë futur direkt dhe në reanimacion dhe kjo ka ndodhur rreth orës 20.30.

Në momentin që kemi shkuar, menjëherë aty djalin e kane futur në intubim pasi ishte në gjendje të rëndë. Në datë 29.09.2023 në mëngjes gjendja e djalit ka qenë po ajo, gjendje kome në intubim në gjendje të rëndë ku rreth orës 12.00 ka ardhur aty në spital dhe mjeku Roland Xhaxho, i cili kishte bërë ndërhyrjen në spitalin privat dhe vazhdonte duke na thënë se do të përmirësohet. Kur ka parë gjendjen e djalit, e cila ishte e rëndë dhe nuk po ndryshonte dhe ai vetë, doktor Rolandi u frikësua.

Por dhe vetë unë në sytë e gjithë stafit që ndiqte rastin e djalit i kam thënë doktorit Roland Xhaxho se gjithë faji është i joti pasi i keni dhënë dozë të mbingarkuar narkoze kur i keni bërë ndërhyrjen. Gjithë stafi i mjekëve të pediatrisë me shikonin njëri-tjetrin dhe mua në sy. Mjekët aty me thoshin se i është dëmtuar mëlçia djalit të vogël dhe i ka dalë jashtë funksionit. Më pas ka vazhduar terapia e cila nuk dha rezultat dhe djali ka vdekur në datë 01.10.2023 rreth orës 18.10 ku prezente ka qene dhe mjeku i cili ka bërë ndërhyrjen në momentin fillestar shtetasi Roland Xhaxho. Dua që kallëzimi im të ndiqet ligjërisht. Gjë tjetër nuk kam për të shtuar sa më sipër janë fjalët e mia”, përfundon kallëzimi i babait për Roland Xhaxhon.