zoom

Lajme

Babai legjendë e Italisë, i biri “tradhton” axurët për kombëtaren e Çekisë

Babai i tij është një legjendë e gjallë e Italisë dhe futbollit botëror, por djali i portierit Gianluigi Buffon duket se nuk do të veshë kurrë fanellën e axurëve.

Mbiemrin Buffon do të vazhdojmë ta shohim në fushën e blertë edhe në vitet në vijim, por në rang kombëtaresh, Louis Thomas Buffon do të përfaqësojë Çekinë, andej prej nga vjen nëna e tij.

Edhe pse vetëm 17 vjeç, ende i ri në rrugëtimin e tij drejt futbollit profesionist, Louis është ftuar nga Kombëtarja e Çekisë për t’i përfaqësuar ngjyrat e tyre.

Louis Buffon ka nënshtetësi çeke sepse nëna e tij është çeke. Pra ish-bashkëshortja e Gigi-t, Alena Seredova është çeke.

Portieri legjendar aktualisht është i martuar me Ilaria D’Amico, një prezantuese televizive italiane, por me Alenën kanë dy djem nga martesa e tyre.

Louis në nivel klubi luan për Pizza-n dhe është aktivizuar rregullisht me ekipin e të rinjve, në një kompeticion ku garojnë mosha dy vjet më të mëdha se e tija.

Këtë sezon, Louis Buffon ka bërë 18 paraqitje për Pizza Primavera, duke shënuar katër gola.

Mediat çeke raportojnë se Louis e ka pranuar ftesën e kombëtares së tyre dhe do të paraqitet në grumbullimin për turneun e marsit në Portugali, ku çekët do të përballen me Anglinë, Francën dhe skuadrën pritëse.