zoom

Ide & Blog

Baba Vangat e banaqeve televizive

Biseda televizive të mbëmjes do të ishin shumë të merzitshme nese do të mungonin një racë e veçantë “analistësh” të pajisur me aftësinë e rrallë për të parashikuar me saktesi të ardhmen!

Me një urrejtje për t’u patur zili për faktet, dokumentat, informacionin dhe analizën, fallxhorët bëjnë që Nostradamus të duket si nxënës i tyre.

Çdo mëngjes, drekë dhe mbrëmje, ekspertë turlifarëlloj, herë me xhaketë “avokati” e herë me këmishë analisti, me një siguri që ta jep vetëm padija kumtojnë profecite.

Të verbër si baba Vanga, këta nuk kanë dhe nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veç parashikimeve.

Kur vjen puna te ngjarjet që kanë lidhje me politikën dhe drejtësinë, formula magjike që nxjerrin nga goja të pa mend: “mbani mend, shumë shpejt diçka e madhe do të ndodhë”.

Dhe në Shqipëri jo diçka, por diçka shumë e madhe ndodh çdo ditë. “Do të vijnë ditë të zeza”…”Do ta shkoni, për momentin nuk mund të them më tepër”…Shikuesit të tronditur mendojnë të sigurojnë veten dhe familjen përballë hatasë që paralajmërohet se do të mbërrijë në vatrat e lashta arbnore.

Informacioni ka vite që ja ka lënë vendin imagjinatës, logjika spekullimit dhe orakujt me ndihmën e moderatorëve garantojnë çdo nate një atmosferë ku perrallat shiten si të verteta dhe gënjeshtrat si shpallje nga Zoti.

“Do të ketë arrestime së shpejti” shpallin me siguri a thua se vetë Zoti u ka pëshpëritur në vesh emrat e të burgosurve të ardhshëm, por për t’i dhënë vetes më shumë rëndësi nuk i thonë emrat per 101 arsye dhe arsyeja e parë: nuk dinë asgjë!

Politikanë, oligarkë, biznesmenë, banditë me uniformë, banditë pa uniformë, apo edhe vetë qeniet jashtëtokësore që sullen rrotull ndihen krejt të pasigurtë nga “parashikimet” ogurzezë që varen si shpata e Damokleut mbi kokat e tyre.

Ndërsa ditët ja lënë vendin javëve e javët muajve, parashikimet e llapaqenëve nuk dalin. Por nostradamusit janë sërish në qendër të vëmendjes: “prisni diçka do të ndodhë, FBI, NASA, TRUPA 300 e kanë në dorë situatën.” NATO do të nderhyjë”,,,

Fallxhorët të divorcuar nga realiteti dhe e vërteta e kanë ngritur në art, paqartësinë. Aftësia për të renditur fjalë që asnjëherë nuk përfundojnë në një fjali të qartë është mbresëlënëse.

Ndërsa përditshmëria ofron një pamje tjetër, asgjë nuk e ndal marshimin e nastradinëve drejt parashikimeve të radhës.

Kur ndonjëri si pula qorre kap ndonjë kokërr gruri, nisin daullet e madhështisë…

Në banaqet ku kercejnë tango fantazia dhe marrëzia, fallxhorët janë ata që kanë aftësinë të shohin të ardhmen jo vetëm në filxhanin e kafes turke, por edhe në filxhanin e ekspresos.

Thonë se edhe ora e prishur dy herë në ditë tregon kohën e saktë. Do të ishte një mrekulli që baba vangat e darkës t’i ngjanin orës së prishur, atëherë do të ishin vërtet profetë.

Ndërsa moderatoret që ftojnë “te dalët mendsh” për të dhënë mend… ka kohë që i kanë lëshuar pëllumbat.