zoom

Ekonomi

Autoriteti i Konkurrencës që prej 2017-s çdo vit hetime, por asnjë gjobë në tregun e karburanteve

Që nga viti 2017 deri në vitin 2021, Autoriteti i Konkurrencës ka hapur dhe mbyllur çdo vit hetime të thelluara për tregun e hidrokarbureve në Shqipëri, për t’i mbyllur ato me konstatimin e asnjë shkeljeje, ndonëse me pozitë dominuese dhe shqetësuese në treg.

Në vitin 2017, AK-ja hapi hetimin e thelluar për kompaninë “Bankers Petroleum”, prodhuesja dhe tregtuesja më e madhe e naftës në Shqipëri,  për të cilën kompani të tjera kishin ankesa për abuzim të rolit dominues të kësaj kompanie.

Sipas dokumentit në AK, Bankers shfrytëzonte pozitën dominuese në treg për të selektuar vetë operatorët që mund të bëheshin pjesë e aktivitetit dhe abuzime financiare, po ashtu. Kjo çështje u mbyll në vitin 2018 dhe përveç rekomandimeve, Autoriteti nuk i dha asnjë masë penalizuese sepse “nuk u konstatuan shkelje”. Pak javë më vonë, Bankers hyri përsëri nën monitorim të Konkurrencës, për të mos marrë përsëri asnjë masë, kur hetimi u mbyll në vitin 2019.

Në mbyllje të vitit 2019, Bankers u dërgua përsëri në AK, këtë herë bashkë me Albpetrol, kompania vendase në tregun e naftës, për dëmtim të konkurrencës nga roli i tyre dominant.

Hetimi i thelluar për dy kompanitë më të mëdha të naftës në Shqipëri u mbyll në korrik të vitit 2020, ku përsëri nuk pati asnjë penalitet. Autoriteti i rikujtoi kompanitë dhe njëherë për të raportuar çdo 3 muaj statistikat e shitjes së naftës dhe vlerën e saj.

Të njëjtin vit nën hetim u vunë 3 kompanitë koncesionare të menaxhimit të ngarkim-shkarikimit në portin e Vlorës dhe Durrësit, kompanitë La Petrolifera Italo Albaneze SHA (PIA), Romano Port SHA dhe Port MBM SHA. Për tre kompanitë u hapën dy çështje, një për ngarkim-shkarkimin e importit të karburanteve dhe një për ngarkim-shkarkimin e gazit GLN.

PIA e ushtron aktivitetin e saj në portin e Vlorës, ndërsa dy të tjerat në Porto Romano të Durrësit.

Sipas AK-së, përshkak të strukturës së tyre vertikale, por edhe nga pozita monopolistike që të treja kompanitë kanë, veçanërisht kompania Port MBM, ka lindur dyshimi për sjellje të mundshme antikonkurruese të ndërmarrjeve që operojnë në këto tregje, të cilat mund të çojnë në shkelje të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Të dyja këto çështje u mbyllën 1 vit më vonë, pa asnjë shkelje të konstatuar, por me disa paralajmërime.

Qershorin e 2021-shit, Autoriteti i Konkurrencës hapi përsëri hetimin e thelluar për tre kompanitë koncesionare të menaxhimit me dyshimin e nënshkrimit të kontratave të paligjshme dhe abuzim me pozitën dominuese.

Në vendimin e fundit të saj, Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin e thelluar për të tre kompanitë, duke i dhënë disa këshilla, sepse nuk ka shkelje të konstatuara./Marrë nga Gazetasi.al