zoom

Aktualitet

Autobusi përplaset me autobotin/ Plagoset rëndë shoferi

Një aksident ka ndodhur paraditen e kësaj të premteje në aksin rrugor Korçë-Maliq, në vendin e quajtur “Gryka e Pocestës” në afërsi të një pike karburanti.

Në aksident janë përfshirë një autobus i linjave ndërkombëtare, një autobot karburanti dhe një automjet, i cili ndodhej i parkuar në anë të rrugës.

Sipas policisë, mjeti autobot ka dalë nga pika e karburantit për në rrugën nacionale, kur është goditur nga autobusi i linjave ndërkombëtare, i cili po udhëtonte nga Korça në drejtim të Tiranës.

Pas përplasjes me autobotin e karburantit, drejtuesi i autobusit duke manovruar ka goditur edhe një mjet tjetër të parkuar në të djathtë të rrugës dhe më pas me murin mbrojtës.

Nga goditja ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i autobusit dhe për fatin e mirë nuk ka pasur asnjë pasagjer të lënduar. Është dashur ndërhyrja e shërbimit zjarrfikëse për të bërë të mundur nxjerrjen e drejtuesit të mjetit, i cili ndodhet në spitalin e Korçës në gjendje të rëndë.