zoom

Aktualitet

Autobusët urbanë të Bashkisë Tiranë, si sauna publike

Të udhëtosh me autobusët urbanë të Bashkisë Tiranës në këto ditë të nxehta është një torturë e vërtetë.

Ndërsa termometri në hije arrin deri në 40 gradë, thuajse asnjë nga linjat urbane në kryeqytet nuk ndez kondicionerët.

Një pjesë e tyre nuk punojnë dhe një pjesë tjetër nuk i ndez se nuk duan të harxhojnë.

Një nga linjat më problematike në këtë drejtim është ajo e Kristalit.

Një qytetari që të udhëtojë nga Qendra deri në Selitë do ti duhet të paktën 60 minuta ta përshkruajë këtë segment në mes të vapës edhe pse distanca është vetëm 3 kilometra

Së pari qytetarit i duhet të presë më shumë se 30 minuta në stacion, pasi autobusët e kësaj linje janë shumë të ralllë dhe udhëtojnë me intervale kohe afërsiht 1 në çdo gjysmë ore.

Kjo bën që në stacione të grumbullohen shumë qytetarë dhe autobusët të mbushen si kuti sardele.

Por sikur të mos mjaftonte vetëm ngjeshja e pasagjerëve, autobusët nuk përdorin kondicionerin, ndërsa qytetarët duhet të përballen me vapën dhe erën e pakëndshme që lëshohet në këto raste prej djersës.

Kjo ka vënë në vështirësi shumë qytetarë, aq sa shumë prej tyre kanë humbur edhe ndjenjat.

Drejtuesit e autobusëve hapin vetëm baxhanë, dhe atë e hapin në të kundërt, pasi shumica e tyre i kanë dritaret të fiksuara dhe që nuk mund të hapen, përveç pjesës së sipërme.

Bashkia e Tiranës edhe pse është sinjalizuar shpesh herë për gjendjen e transportit urban në kryeqytet, vazhdon të flejë gjumë, ndërsa mjaftohet vetëm me propagandën se kanë sjellë në qytet autobusën green.