zoom

Bota

Australia dhe Zelanda e Re nisin punën për të vlerësuar dëmet në ishujt Tonga

Australia dhe Zelanda e Re kanë dërguar avionë zbulimi për të vlerësuar shkallën e dëmtimit në ishujt Tonga, pasi shpërthimi vullkanik i së shtunës shkaktoi një cunam në Paqësor.

Shpërthimi preu gjithashtu lidhjet me internetin, duke e izoluar më tej Tongën nga pjesa tjetër e botës, shkruan Euronews.al

Ndërkohë Australia po bëhet gati të dërgojë edhe ndihma ushqimore në arkipelag.

“Kjo është një periudhë shumë e vështirë për Tongën. Komunikimet janë dëmtuar rëndë nga shpërthimi i vullkanit. Shpërthimi vullkanik u ndje edhe në pjesë të tjera të rajonit. Ne kemi parë efektet në vijën tonë bregdetare, por edhe në Fixhi në veçanti”, u shpreh Marise Payne, ministre e Jashtme e Australisë.

Cunami preku bregdetin verior të Nuku’alofa, kryeqytetit, të vendosur rreth 65 kilometra nga vullkani Hunga Tonga, shpërthimi spektakolar i të cilit u filmua nga satelitët ditën e shtunë.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u dëgjua deri në Alaskë, gati 10.000 milje larg dhe shkaktoi valë që përmbytën brigjet në Kaliforni, Japoni apo edhe në Peru, ku dy gra humbën jetën.