zoom

Aktualitet

Atentati në Vlorë/ I plagosuri i dytë, shitës frutash. Gjendet një makinë e djegur

Personi i dytë i plagosur nga të shtënat në qytetin e Vlorës është Armand Spahiu, 35-vjeç.

Spahiu nuk ka asnjë lidhje me autorët apo shënjestrën por është qëlluar rastësisht pranë vendit të ngjarjes ku shiste fruta dhe perime.

Policia ka reaguar dhe ka bërë me dije se të dy personat e plagosur janë dërguar në Spitalin e Vlorës.

Ndërkohë, policia ka gjetur një automjet duke u djegur përgjatë aksit rrugor Fier-Vlorë.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/ Informacion paraprak

Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.

Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.

Postime të lidhura