zoom

Aktualitet

Atentati në Lezhë, kamera identifikon 3 autorët. Shkak konfliktet, në pranga dhe i plagosuri

Policia e Lezhës njofton se ka zbardhur atentatin e djeshëm në Rrilë, me pasojë plagosjen e 54-vjeçarit Agron Puka.

Jo vetëm kaq, por përveç identifikimit dhe shpalljes në kërkim të 3 autorëve të dyshuar, në pranga ka rënë edhe i dëmtuari, në gjendje spitalore, teksa hetimet janë ende aktive për motivet dhe konfliktet mes grupeve në zonë. Të kërkuarit janë Vincens Tuku, Amarildo Kola dhe Kevin Ndoka.

Policia sqaroi se 54-vjeçari i plagosur u prangos pasi nga hetimet rezultoi se dhe ai ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve, me një armë zjarri, të cilën e mbante pa leje, për vetëmbrojtje.

Nga kontrollet u gjend dhe sekuestrua arma e zjarrit pistoletë që përdori shtetasi A. P., teksa fatmirësisht plumbat kapën në xham dhe nuk rrezikuan as fëmijët që çonte ai në shkollë, as nxënësit e tjerë, pasi shkolla ndodhej pranë dhe as banorët.

“Si rezultat i hetimeve profesionale, administrimit të menjëhershëm të pamjeve nga kamerat dhe veprimeve të tjera në vendngjarje, të kryera menjëherë pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit A. P., rreth orës 08:00 të datës 06.03.2024, në fshatin Rrilë, Lezhë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti.

Për rastin u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “arasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasit V. T., 32 vjeç, banues në fshatin Tale, A. K., 31 vjeç, banues në fshatin Tale dhe K. N., 18 vjeç banues në Shëngjin”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, për shkak të një konflikti të mëparshëm, për motive të dobëta, kanë tentuar të ndalojnë automjetin me të cilin lëvizte shtetasi A. P., dhe më pas kanë qëlluar drejt këtij automjeti, me armë zjarri.

“Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, për veprat penale “vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi nga hetimet rezultoi se ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve, me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Ai aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës, ku është jashtë rrezikut për jetën”, theksohet më tej.

Pistoleta e shtetasit A. P. u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, bashkë me municion luftarak. Ndërkaq, punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e 3 të shpallurve në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/