zoom

Aktualitet

Atentati në Berat, policia shpall në kërkim dy vëllezër nga Durrësi

Policia e Beratit ka shpallur në kërkim dy vëllezërit, Fatjon dhe Marko Maloku, banues në Durrës, të cilët janë identifikuar si autorë të atentatit me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen “Donika Kastrioti”.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbasditen e djeshme, ku dy shtetas qëlluan me armë zjarri nga një automjet në drejtim të shtetasve A. M., dhe A. Dh., 39 vjeç, të dy banues në Berat, ju informojmë se është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve F. M., 36 vjeç dhe M. M., 35 vjeç, (vëllezër), të dy banues në Durrës”, informon policia.

Dy vëllezërit Maloku të cilët lëviznin me një automjet tip “Ford” me ngjyrë të zezë, zbrazën breshëri në drejtim të Antonio Merkaj dhe Apostol Dhëmbit, të cilët ndodheshin pranë një pike karburanti në momentin e atentatit që mbeti në tentativë.

Merkaj dhe Dhëmbi kanë vrapuar nga karburanti në drejtim të spitalit, ndërkohë që makina i ka ndjekur nga prapa duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tyre.

Sipas të dhënave, të siguruara nga burime konfidenciale, mësohet se konflikti mes dy grupeve ka nisur në shtetin grek për prishje të pazareve të drogës.

Sakaq, nga ana e policisë së Beratit dhe asaj të Durrësit po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e dy vëllezërve të shpallur në kërkim.

Postime të lidhura