Aplikacion
GJKKO ka dënuar me 11 vite burg Leonard Luzin, përfundimisht 7 vjet e 4 muaj burgim, dhe 10 vite heqje lirie Muharrem Koroveshin, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 6 vjet e 8 muaj.
Për të penduarin e drejtësisë, Amarildo Nikolli alias Xhenje, u dhanë 7 vjet e 4 muaj burgim, me gjykim të shkurtuar 2 vjet e 9 muaj burgim.
Gjatë leximit të vendimit në sallën e gjyqit, Leonard Luzi shpërtheu ndaj bashkëpunëtorit të drejtësisë Amarildo Nikolli dhe prokurores së SPAK me fyerje dhe tone kërcënuese. “Do e shikojmë kur të dal nga burgu”, citohet të ketë thënë Luzi sipas burimeve paraprake.
Sipas SPAK, Leonard Luzi është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve, Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, ku shkak dyshohet të janë përplasjet për lojërat e fatit.
Leonard Luzi dyshohet se ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, i cili duhej të ishte ekzekutori, si dhe Muharem Koroveshi dhe Elio Zejno, në rolin e ndihmësit, ky i fundit ende në kërkim.
Në dosjen e SPAK, thuhet se Koroveshi dhe Zejno kanë sjellë armët në banesën e Amarildo Nikollit, i cili do të kryente ekzekutimin dhe e kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit.
Po ashtu, dyshohet se ata do të ndihmonin Nikollin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së atentatit.
Kjo ngjarje u parandalua nga Policia e Vlorës, e cila vendosi në pranga Amarildo Nikollin në zonën e “Ujit të Ftohtë”.