zoom

Aktualitet

Atentati ndaj Gentjan Bejtes, Prokuroria do tentojë të kthejë në të penduar 2 të arrestuarit

Hetuesit kanë si pistë të parë për ekzekutimin e Gentjan Bejtjas brenda banesës së tij më 15 mars, eliminimin fizik për hakmarrje dhe larje hesapesh. I dyshuar është grupi i biznesmenit Ervis Martinaj, i cilësuar si “mbreti i kumarit” dhe i zhdukur pa gjurmë prej 8 gushtit 2023, ku edhe autoritetet zyrtare pranojnë se fati i tij mbetet ende mister.

Motivi i këtij atentati mbetet heqja qafe për shkak të rolit të spiunit apo tradhtarit të grupit nga ana e ish-policit Bejtja, i cili jetonte dhe kishte aktivitet të dyshuar në Larushk të Fushë-Krujës.

Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se viktima ishte lidhje e ngushtë me klanin e Martinajt prej disa vitesh. Ai operonte bashkë me ta, por duket se masakra e Fushë-Krujës, më 17 korrik 2022, ndryshoi gjithçka.

Aty në rrethana dhe autorë të panjohur, u ekzekutuan teksa ktheheshin drejt Milotit, Brilant Martinaj, kushëriri i parë i biznesmenit Martinaj dhe dy miqtë e tij. Të tre të vrarë në një pritë te mbikalimi i Fushë-Krujës dhe në një itinerar që e dinin shumë pak persona. Mes tyre besohet se ka qenë Bejtja, që mendohet se ka informuar grupin tjetër për lëvizjet. Brilant Martinaj ndër të tjera akuzohej e dyshohej për vrasjen e dy policëve, njëri nga të cilët pjesë e FNSH-ve, kurse tjetri vjehrri i një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Durrës, Indrit Dokle.

Kjo besohet se ishte edhe pista e motivit për eliminimin e Brilant Martinajt, por provat mungonin.

Hakmarrja ndaj organizatës së biznesmenit vijoi dhe në pesë vitet e fundit i janë vrarë apo zhdukur mistershëm të paktën 7 ushtarë të besuar. Grupi ka dyshuar së fundmi për një spiun.

Kur verën e kaluar Gentjan Bejtjas iu bë atentat te banesa, duke i vrarë kunatin dhe plagosur vetë, u mendua se vijonte hakmarrja ndaj organizatës së Martinajt. Bejtja ndërkohë lëvizte me makinën e blinduar që “mbreti i kumarit” i kishte dhënë për t’u mbrojtur dhe që i shpëtoi jetën. Pas këtij sulmi Bejtja humbet çdo gjurmë, për t’u rikthyer pas 8 muajsh në rrethana të paqarta te banesa e prindërve në Larushk.

Të dyshuarit e tjerë se kanë vepruar si porositës apo autorë janë dy. Kushëriri i Martinajt nga burgu, Emiljano Nina, makina e të cilit u gjet në Sauk e mbushur me armatime në fundjavë dhe miku tjetër Eljo Hato, i kërkuar, mjeti i të cilit gjithashtu dyshohej se ishte parë në zonën e Fushë-Krujës.

Por provat bindëse mbeten ende të munguara për hetuesit, edhe pse dinamika dhe dyshimet janë të forta. Gjithsesi ekspertët e kriminalistikës nuk përjashtojnë edhe dyshimet e arsyeshme se mund të jetë saga hakmarrëse ndaj grupit të Martinajt, duke eliminuar edhe Bejtjan, por duke u ngritur një tymnajë sikur viktima ishte spiuni mes grupeve, si motiv i fortë për t’u hequr qafe.

Bejtja ishte person me precedentë penalë të shumtë, si rasti i vjedhjes së makinës në vitin 2012 në Durrës, e cila u përdor për atentatin ndaj komisarit Dritan Lamaj në vitin 2013. Gjithashtu edhe miku i afërt i të zhdukurit mistershëm prej një dekade, Enver Stafuka, fati i të cilit nuk dihet ende.

Për vrasjen e Gentjan Bejtjas, sot Policia e Tiranës njoftoi se bëri dy ndalime, njëri prej të cilëve i dyshuar si ekzekutor direkt më 15 mars. Autorët ishin tre persona të maskuar dhe sipas gjurmëve e provave paraprake, një prej tyre është personi me tre identitete Ilir Beqaraj, allias Brahimi, allias Mançellari. Kurse i dyti, po i dyshuar, Edison Haxhiu, si personi që ka siguruar mjetin e transportit “Golf” për atentatorët pas krimit.

Deri tani nuk ka asnjë të dhënë për skedë penale të mëparshme për të dy të dyshuarit, por fakti se Iliri përdorte tre identitete dhe dokumente false si kosovar, ngre dyshime se mund të veprojë si killer me pagesë në rajon dhe do verifikohet lidhja me ngjarje të tjera.

Këta dy cilësohen edhe si kyçi i hetimeve, për të arritur tek dy personat e tjerë atentatorë, por edhe porositësi i sulmit. Prokuroria mund të provojë edhe ofrimin e statusit të bashkëpunëtorit ndaj tyre në vijim.

Nga ana tjetër, dyshohet se edhe Bejtja u tradhtua nga njerëzit e tij, pasi mbetet mister shkaku i daljes nga vendi ku fshihej dhe siguria e jetës për t’u rikthyer në Larushk, duke e ditur se kishte shpëtuar nga tre atentate më herët dhe kërkonin kokën e tij. /ZOOM.AL/