zoom

In Zoom

Atentatet e fundit në vend/ Eksperti i Kriminalistikës për Zoom.al: Çfarë duhet të bëjë Policia

Ishte ora 12:10 e dy ditëve më parë, kur Orlando Petkola, djali i një oficeri të Policisë së Durrësit po shpërndante bombola oksigjeni me një kamionçinë. Një mjet tip “Golf”, që i ishte vënë pas, i doli përballë dhe nga brenda tij u hap zjarr.

“Dallova një makinë që më ndoqi rreth 10 metra. Në një moment vura re që nga vendi i pasagjerit, dikush nxori një armë nga një thes. Qëlloi në drejtimin tim, por unë manovrova menjëherë dhe më pas humba kontrollin e makinës”, do të deklaronte Petkola më pas në polici.

Ngjarja ndodhi në Shijak. Ende autorët nuk janë identifikuar, teksa pistat e hetimit mbeten të shumta.

Ndodhí padyshim tronditëse, por parë ftohtë, veçse një rast më shumë sa i takon asaj që rëndom po ndodh në zhvillimet kriminale të vendit tonë. Të qëllurit nga një auto/motomjet, teksa ky i fundit ndodhet në lëvizje!

I bujshëm do të ishte gjithashtu atentati i 4 janarit 2022, në një lokal në zonën “Don Bosko” të Tiranës. 35-vjeçari Erion Çela po pinte kafe, i shoqëruar nga tre persona të tjerë, kur një makinë tip “Benz” me targa të vjedhura kaloi pranë dhe qëlloi me armë. Mjeti mori me shpejtësi kthesën më të afërt dhe u largua. Çela mbeti i vdekur në vend, ndërsa 3 të afërm dhe një i katërt u plagosën nga breshëria. Asokohe, mediat raportuan se drejt lokalit u derdhën plot 20 plumba kallashnikovi.

Akoma sot nuk dihet gjë rreth autorëve, teksa u dyshua se ishin jo një, por dy personat që qëlluan.

Vetëm muajt e fundit, ngjarje “klasike” të asaj që njihet në literaturë me termin “Drive-By Shooting” mund të numërojmë disa. Por pse pikërisht kjo taktikë? Përse atentate të kësaj natyre, që media gjerësisht i ka pagëzuar në tituj si “atentate mafioze”. A është të qëlluarit me një mjet në lëvizje, një tipar dallues i mënyrës se si grupet kriminale operojnë? Ç’tregon kjo për autorët?

Zoom.al kontaktoi ekspertin e Kriminalistikës, Ervin Karamuço. Në një intervistë me të, zbuluam dritë-hijet e “fenomenit” në fjalë.

Z.Karamuço, çfarë mund të na thoni së pari rreth fillesave të kësaj metodike kriminale. Ku është aplikuar fillimisht, nëse mund të shprehemi kështu. Çfarë dihet rreth saj?

“Atentatet me armë zjarri që shfrytëzojnë automjete në lëvizje janë një fenomen kriminal që po zhvillohet së tepërmi vitet e fundit në Shqipëri. Kjo lloj metode daton hershëm në historinë kriminalistike, madje fillimisht ajo u ideua si një formë efektive për sulme të befasishme në zonat armike, me anë të karrocave me kuaj. Disa burime shkencore konfirmojnë se Ukraina ishte vendi i pare, ku një metodë e tillë u zhvillua me mjaft efikasitet në fillim të shekullit të 20-të, gjatë Luftës Civile, nëpërmjet të ashtuquajturës Gardës së Zezë. Ngjarje të ngjashme në tipologji janë vërejtur mjaft të përhapura gjatë periudhës së prohibicinizmit të alkoolit në Çikago, SHBA, kohë në të cilën bandat rivale shfrytëzonin automjetet për atentatet midis tyre. Me zhvillimin e kriminalitetit dhe akteve terroriste në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në fillim të viteve 70’, fenomeni i vrasjeve dhe hapjes zjarr nga mjete në lëvizje filloi të rimerrte një rol të madh.”

Si veprohet në një rast të tillë, cilat janë hapat e para që ndërmerren nga organet kompetente qoftë në vendngjarje, por jo vetëm?

“Duke kuptuar avantazhet e kësaj tipologjie në sjellet kriminale me pasoja të rënda për rendin dhe sigurinë publike, organet ligjzbatuese janë përpjekur në çdo ngjarje të identifikojnë makinat e përdorura, pamjet e mundshme filmike të akseve rrugore ku ajo ka kaluar, zbulimin e mëpasshëm të vendodhjes së saj, qoftë dhe në varrezat e mjeteve motorike, ose të ekzaminojnë mbetjet e tyre në raste kur ato digjen pas ngjarjes.”

Duke parë se kjo dukuri po gjen shtim të konsiderueshëm në ngjarjet kriminale, a i lind detyra policisë, që të marrë disa masa shtesë?

“Patjetër që po. Së pari nevojitet përfshirja e informacionit kriminal të targave ose makinave të vjedhura në sistemet teknologjike të identifikimit në distancë të mjeteve motorike, të cilat sot përdoren vetëm për kontrollin e gjobave të prapambetura. Po kështu:

– Pajisjen me aparatura të reja portabël për detektimin gjatë kontrolleve rutinë për mbetje të mundshme të faktorëve plotësues të armëve apo ekspolzivëve që mund të jenë mbartur në makinë
– Instalimin e kamerave të reja inteligjente në zonat me probabilitet të lartë kriminal, të cilat japin informacion në kohë reale për çdo dyshim të mundshëm
– Instalimin e radarëve Aspect HSR për mbajtjen nën kontroll të hapësirave publike nga individë të rrezikshëm që qarkullojnë me armë.

Mendoj se investimi në teknologjinë inteligjente të sigurisë publike do të ulë deri në 65% të probabilitetit aktual të kriminalitetit në disa zona të identifikuara tashmë si shumë problematike.”

Për të depërtuar disi brenda botës kriminale… përse pikërisht kjo formë e realizimit të akteve kriminale, pra të qëlluarit në distancë nga një mjet?

“Ka një shpjegim për të gjithën këtë. Më lejoni t’i rendis të gjitha shkaqet:

“1. Avantazh i largimit të shpejtë nga vendngjarja

2. Siguri më e madhe në realizimin e qitjeve nga një pozicion jo shumë i dallueshëm

3. Mbrojtje më e madhe nga kundër reagimi i mundshëm

4. Zvogëlim i mundësisë së pikasjes së shpejtë dhe ndjekjes nga policia

5. Mungesë e identifikimit të atentatorëve dhe vendodhjes së tyre fikse gjatë hapjes zjarr

6. Mungesë e administrimit dhe dokumentimit të gëzhojave të armës.”

Kështu, eksperti Karamuço i mëshon rëndësisë së hedhjes në zbatim të disa masave shtesë nga ana e Policisë së Shtetit, nisur nga vështirësia dhe ndërlikimi i hetimit të këtyre krimeve.

Atentate të tjera të ngjashme, të regjistruara në vend brenda një harku relativisht të shkurtër kohor:

3 prill 2022 Një 35-vjeçar u gjet i pajetë në rrugën Tiranë-Durrës, brenda makinës së tij. Një makinë i preu rrugën, e qëlluan dhe për pasojë mbeti i vdekur në vend

12 prill 2022 Nazmi Bandula po pinte kafen e mëngjesit në lokalin pranë banesës së tij në Shkodër, kur u qëllua nga një breshëri kallashnikovi, prej një mjeti në lëvizje. 55-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje

29 mars 2022 Pasdite, në fshatin Papër të Elbasanit, një automjet u qëllua në lëvizje. Nuk pati të lënduar