zoom

Aktualitet

Atentate Mafioze si në Meksikë: A Duhet të Japë Dorëheqjen Ilir Proda?

Shqipëria po kalon një periudhë të errët ku krimi i organizuar dhe dhuna po dominojnë çdo aspekt të jetës publike, ndërsa policia duket tërësisht e paaftë dhe e zhytur në apati. Vetëm disa orë më parë, një 30-vjeçar u vra në një atentat mafioz në autostradën Fier-Vlorë, duke shtuar edhe një kapitull të ri në kronikën e zezë të krimit të pandalshëm. Viktima, Kristian Marku, ishte një personazh me precedentë penalë, por asgjë nuk justifikon faktin që krimi po ndodh në dritë të diellit, duke e bërë policinë të duket si një spektator i pafuqishëm.

Policia, nën drejtimin e Ilir Prodës, duket se ka humbur çdo besueshmëri në luftën kundër krimit. Në vend që të godasë bandat dhe të vendosë rregull, policia e shtetit është kthyer në një makineri burokratike që shpenzon energji vetëm për emërime drejtorësh e shefash të rinj komisariatesh dhe shërbime të vogla që nuk ndikojnë aspak në luftën ndaj kriminalitetit. Në tre muaj drejtim, Proda ka firmosur vetëm për të vendosur njerëzit e tij në pozicione kyçe, ndërsa qytetarët shohin të njëjtin skenar të dhunës dhe kaosit në rrugë, lagje e lokale.

Krimet mafioze si ai në autostradën Fier-Vlorë apo vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi një natë më parë në Tiranë dëshmojnë se krimi e ka humbur çdo frikë ndaj shtetit. Vrasësit lëvizin lirisht, organizojnë atentate me armë nga më të ndryshmet, ndërsa policia vazhdon të gërmojë në hirin që lënë makinat e motorat e atentatorëve në pëprjekje për të gjetur gjurmë që rrallë herë çojnë në arrestime të bujshme.

Situata aktuale nuk është vetëm një dështim operacional, por një krizë morale dhe strukturore. Bandat duket se jo vetëm që nuk i frikësohen policisë, por edhe që e përdorin si një mjet për të mbrojtur interesat e tyre. Ka zëra se emërimet në hierarkinë më të lartë të policisë janë ndikuar nga krimi i organizuar, ndërsa policia, në vend që të luftojë krimin, duket se është pajtuar me sistemin ku të “fortët” vendosin rregullat e lojës.

Qytetarët e zakonshëm luten që mos të kenë ndonjëherë nevojë për ndihmën e policisë. Uniformat blu janë të pranishme vetëm për të vendosur gjoba për parkime të parregullta apo për shkelje të vogla të qarkullimit rrugor. Edhe në këto raste jo në shërbim të qytetarëve. Sepse, kur bëhet fjalë për të ndalur makinat e blinduara të bandave apo për të arrestuar kriminelët e njohur, policia mbyll sytë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, po rezulton një zhgënjim. Në çdo vend tjetër europian, një seri kaq e gjatë krimesh do të kishte mjaftuar që drejtuesi i policisë të jepte dorëheqjen. Por jo në Shqipëri. Këtu, krimi po lulëzon ndërsa ata që janë përgjegjës për luftimin e tij mbeten të patrazuar në rehatinë që ofron kolltuku i pushtetit.

Bandat po përgjakin lagjet, shkollat, lokalet dhe rrugët e Shqipërisë. Qytetarët janë të frikësuar, ndërsa shteti duket i kapur dhe i pafuqishëm. Në këtë klimë kaosi dhe pasigurie, Ilir Proda mund të vijojë të firmosë për të çuar të besuarit e tij në poste drejtuese të policisë, por e vetmja firmë që mund të sjellë shpresë për ndryshim është ajo në fletën e dorëheqjes së tij. Ai do t’i hapte kështu rrugën njëudhëheqje që e kupton se misioni i policisë është të mbrojë qytetarët dhe të godasë kriminelët, jo t’u shërbejë interesave të errëta. Shqipëria nuk mund të presë më gjatë. /Zoom.al

Postime të lidhura