zoom

Aktualitet

ARRSH reagon për skandalin e kostove të Kardhiq-Delvinë: Ja përse i dyfishuam çmimet

Kostot e rrugës Kardhiq-Delvinë kanë kapur shifra të frikshme. 33 kilometrat e këtij aksi interurban të kategorisë C2, kanë kushtuar gati 13 miliardë lekë, afro 108 milionë euro, ndërkohë që në fillim i gjithë projekti ishte parashikuar me një kosto totale mes 50-60 milionë eurosh.

Ndërtimi i këtij segmenti ka nisur që në vitin 2008, nga qeveria në atë kohë e Sali Berishës, ku loti i parë u tenderua me 679 milionë lekë. Ky aks rrugor ngeli peng i ndërrimit të qeverive dhe u zvarrit deri më sot. Por, në një investigim të News 24 u ngritën dyshime sa i takonte kostove të ndryshuara të rrugës Kardhiq-Delvinë, për pagesa të bëra edhe 3 herë për të njëjtat punime.

Zoom.al i kërkoi Autoriteti Rrugor Shqiptar arsyet e shtimit të kosove. E kontaktuar nga gazetarja Françeska Ndoja, ARRSH shpjegoi se projekti ka ndryshuar disa herë. Ashtu siç ka bërë vazhdimisht kryeministri Rama, edhe ARRSH fajësoi qeverinë Berisha.

Në lidhje me investigimin e News24 mbi kostot e rrugës Kardhiq-Delvinë, përse janë bërë këto shtesa në kontratë?

Projekti Kardhiq-Delvinë është përgatitur dhe ndarë në lote 8 Lote dhe Loti i Sinjalistikës 11 vite më pare.
Të gjitha lotet nga 1-6 nuk kane pasur të parashikuar (që në projektin fillestar të vitit 2007 ) punime për sinjalistikën, sigurinë rrugore dhe trajtimin e skarpatave. Për këtë arsye në vitin 2021 u morën masa që të projektoheshin sipas standardeve dhe çmimeve të reja referuar (vkm 628, 629 datë 15.7.2015).
Pas përfundimit të procesit të projektimit u prokuruan punimet të cilat do të plotësonin përfundimisht këtë aks rrugor.

Ndërsa, sa i takon fryerjes së faturës, ARSH shpjegon se për shkak të zvarritjes së projektit në këtë segment rrugor janë shfaqur ndryshime gjeologjike.

Kush i ka kërkuar shtesat dhe a është shuma e dhënë nga ARRSH e njëjta me shumën e kërkuar nga kompanitë?

Gjatë zbatimit të kontratës u shfaqën fenomene gjeologjike të paparashikuara në projektin fillestar, nuk ishin parashikuar masa për trajtimin e skarpatave duke i lënë të ndikueshme ndaj agjentëve atmosferikë, duke ulur jetëgjatësinë e veprës dhe duke implikuar kosto të shtuara të mirëmbajtjes në të ardhmen në disa zona të mëdha gërmimi (tip U-Sec skarpata mbi 30m), të cilat shfaqen paqëndrueshmëri të skarpatës për shkak të dherave të shkrifet. Për këtë arsye zbatimi i projektit fillestar në këto zona ishte i pamundur duke rrezikuar sigurinë e rrugës në tërësi.

Pas studimeve të thelluara gjeologo-inxhinierike i riprojektuan këto zona duke parashtruar një zgjidhje inxhinierike nëpërmjet uljes se këndit të skarpatës dhe masave të tjera çka implikoi kosto të shtuara për projektin, të cilat u zgjidhën nëpërmjet një kontrate shtese. Pas përfundimit të punimeve dhe të ekspozimit të këtyre zonave ndaj faktorëve atmosferikë dhe kushteve të tjera u vërejt se zgjidhja është e qëndrueshme duke siguruar stabilitetin e rrugës në tërësi.

Megjithatë, ARRSH nuk shpjegoi se përse pagesat janë bërë të gjitha mes vitit 2018 dhe 2021 dhe përse këto “probleme në projektim” u konstatuan afro 8 vjet pas largimit të qeverisë Berisha.

Projekti i rrugës

Rruga Kardhiq-Delvinë u planifikua për t’u ndërtuar që në vitin 2007.

E gjithë rruga është e gjatë 36.5 km dhe punimet janë ndarë në 8 segmente me 8 tendera të ndryshëm.

Më 25 prill 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi tenderin 19 milionë euro (2,3 miliardë lekë) për ndërtimin e tunelit të Skarficës është segmenti i 7-të i rrugës Kardhiq Delvinë.

Në garë u paraqitën 6 oferta. Më 17 qershor 2019, ARRSH skualifikoi 5 ofertat më të ulëta dhe shpalli fitues një bashkim kompanishë që kishte dhënë ofertën më të lartë – 18.9 milionë euro rreth 98.5 për qind të fondit të vënë në dispozicion nga qeveria.

Kompania me ofertën më të ulët, Gjoka Konstruksion, u ankua në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP) duke pretenduar se ishte skualifikuar pa të drejtë dhe se tenderi i takonte asaj.

Më 9 korrik 2019, KPP vendosi në favor të saj, anuloi vendimin e ARRSH dhe i kërkoi që brenda 10 ditëve fituesi i tenderit të shpallej Gjoka Konstruksion.

ARRSH nuk e zbatoi vendimin e saj por nisi një inspektim ndaj kompanisë Gjoka Konstruksion dhe arriti në përfundimin se ajo nuk kishte kryer disa punime të cilat kishte deklaruar se i kishte kryer kur kishte aplikuar për tenderin.

Më 12 shtator ARRSH i kërkoi Agjencisë së Prokurimit Publik hetim administrativ ndaj Gjoka Konstruksion dhe përjashtimin nga tenderët publikë. Po në këtë ditë, në mënyrë të papritur Ministria e Infrastukturës vendosi të anulojë tenderin për segmentin 7 të rrugës Kardhiq – Delvinë “për projekte më emergjente”.

Partia Demokratike akuzoi ARRSH-së se kishte shpallur fituese bashkimin e disa kompanive, pas të cilave fshihej realisht kompania Vëllezërit Hysa, e përfshirë dhe në skandalin e DH-Albania me tenderin e Unazës së Madhe.

Më 19 shtator 2019, drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato jep dorëheqjen. Zonja Qato sqaroi se dorëheqja erdhi pas akuzave të kompanisë Gjoka Konstruksion se ajo kishte skualifikuar në mënyrë të padrejtë këtë kompani nga tenderi për ndërtimin e tunelit të Skarficës.

Dorëheqja e Qatos vinte disa muaj pasi paraardhësi i saj Afrim Qëndro u shkarkua pas skandalit me tenderin e Unazës së Madhe dhe kompanisë fantazëm DH Albania.

Pas më shumë se një viti shtyrje të vendimit për shkak të ankimimeve dhe hetimeve, tenderi për ndërtimin e tunelit të Skarficës iu dha kompanisë Gjoka Konstruksion nga KPP në korrik të 2020 dhe në gusht nisi puna për ndërtimin e tij.

Afati për përfundimin e tunelit është gushti i vitit 2022.

Nga e gjithë rruga Kardhiq – Delvinë, tre segmentet e para (gjithsej 16.6 km) kanë përfunduar. Segmenti 4, 5, 6 dhe 7 janë ende duke u ndërtuar ndërsa segmeti 8 përfshin përforcimin e skarpateve dhe të gjitha pjesët e sigurisë rrugore.

E gjithë rruga ka kushtuar rreth 60 milionë euro dhe pritet që të shkurtojë distancën Tiranë – Sarandë me tre orë./ Zoom.al