zoom

Bota

Arrestohet presidenti i Koresë së Jugut, hetuesit kalojnë nëpër telat me gjemba

Yoon Suk Yeol i Koresë së Jugut është bërë presidenti i parë në detyrë i vendit që është arrestuar, duke i dhënë fund një përplasjeje disajavore mes hetuesve dhe sigurimit të tij personal.

Yoon, përpjekja e dështuar e të cilit për të vendosur ligjin ushtarak e zhyti vendin në trazira dhe u fajësua nga parlamenti, po hetohet për kryengritje.

Megjithatë, teknikisht ai është ende president, pasi gjykata kushtetuese duhet të vendosë nëse shkarkimi i tij është i vlefshëm.

Hetuesit përdorën shkallët për t’u futur në rezidencën e Yoon. Personeli i Shërbimit të Sigurisë Presidenciale (PSS) kishte ngritur barrikada në një përpjekje për të penguar arrestimin e tij.

Udhëheqësi 64-vjeçar deklaroi se pranoi të paraqitej para Zyrës së Hetimit të Korrupsionit për zyrtarë të lartë (CIO) për të shmangur gjakderdhjen.

Në një video-mesazh tre-minutësh, Yoon u shpreh se do të respektonte hetimin ndaj tij, edhe pse ishte kundër.

Ai vazhdimisht ka pohuar se urdhri për arrestimin e tij nuk është ligjërisht i vlefshëm. Yoon tha se ishte dëshmitar se si autoritetet “pushtuan” perimetrin e sigurisë së shtëpisë së tij me pajisje zjarri.

“Vendosa të paraqitem para CIO-s, edhe pse është një hetim i paligjshëm, për të parandaluar çdo gjakderdhje të pakëndshme”, tha ai.

Skena të tensionuara u regjistruan në agim ndërsa ekipi kaloi barrikadat. Më shumë se 1000 oficerë ishin pjesë e operacionit të së mërkurës, i cili shënoi herën e dytë që oficerët tentonin ta arrestonin.

CIO që po heton Yoon, u përpoq ta arrestonte atë më 3 janar, por u bllokuan nga autobusët dhe telat me gjemba.

Ata e kishin marrë urdhrin pasi ai injoroi thirrjet e shumta për t’u paraqitur. Të mërkurën, erdhën me mjete për të kapërcyer pengesat, duke u ngjitur mbi automjetet e parkuara me shkallë dhe duke prerë gardhet me tela me gjemba.

Disa arritën të hynin në rezidencën presidenciale përmes një shtegu aty pranë, raportuan mediat lokale.

Postime të lidhura