Aplikacion
Por pasojat nuk po ndalen as nga arrestimi i një ministri dhe një deputeti apo nga shpallja në kërkim e ish-numrit dy të qeverisë.
Pasojat vijojnë t’i paguajnë shqiptarët.
Nëse qeveria po humb njëri pas tjetrit ministra e deputetë që sipas SPAK kanë vjedhur miliona euro, shqiptarët po humbin milionat që paguajnë me taksat e tyre. Sepse pagesat për inceneratorët nuk po ndalen edhe pse impiantet e djegies nuk funksionojnë. Sepse Klodian Zoto, Klodian Mërtiri e Stela Gugallja vijojnë të mbushin xhepat me miliona euro ndonëse janë në kërkim ndërkombëtar nga Drejtësia e Re.
Në fjalën e të gjatë dedikuar pasojave të kësaj reforme, Rama tha se “e kam ditur çfarë them e kam ditur se çfarë vjen”.
Dhe ajo çfarë po vjen bashkë me arrestimin e ministrave dhe deputetëve të tij është humbja e miliona eurove të taksapaguesve.
Edi Rama e ngarkoi me përgjegjësi personale Arben Ahmetajn, ashtu si Lefter Kokën, ashtu si Alqi Bllakon.
SPAK i akuzon se kanë vjedhur paratë e shtetit. Por që të dy, edhe kreu i qeverisë edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion kanë një nonsens mes deklaratave dhe veprimeve.
Nëse Edi Rama u beson akuzave të SPAK se me inceneratorët janë zhvatur miliarda lekë, siç tregon akti i heqjes së imunitetit për Arben Ahmetajn, përse nuk e ndalon vjedhjen, por vazhdon dhe u paguan Zotos e Mërtirit miliona çdo muaj?
Nëse SPAK ka prova se inceneratorët janë një aferë korruptive, për të cilën duhet të shkojnë në burg dy ministra, një deputet dhe dhjetra persona të tjerë, përse Altin Dumani nuk urdhëron ndërprerjen e pagesave?
Vetëm Bashkia e Tiranës ka paguar për periudhën 2018-2020 rreth 3.2 miliardë lekë (26.5 milionë euro) shtesë, krahas kostos së pastrimit prej 3.9 miliardë lekësh.
Inceneratori i Tiranës ka marrë rreth 50 milionë dollarë, vetëm nga qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës si transferta të pakushtëzuara, të deklaruara.
Qytetarët e Tiranës paguajnë 29 euro për ton, njësoj sikur mbetjet të digjeshin. Por ato nuk digjen, sepse inceneratori nuk është ndërtuar.
Atëherë, përse qeveria e Edi Ramës vazhdon t’i paguajë 17 euro për ton kompanisë offshore të Zotaj për një punë që ajo nuk e bën? Përse SPAK nuk i kërkoj Gjykatës së Posaçme të ndërpresë pagesat e miliardave?
Ndërkohë 34 mln euro janë parashikuar për 3 vitet e ardhshme për t’u paguar për kompaninë e Klodian Zotos.
Edi Rama e quajti votimin pro arrestimit të Arben Ahmetajt një tjetër test për socialistët si nismëtarë të reformës në drejtësi.
Por testi që presin shqiptarët është i paplotë nëse arrestimi i atyre që vodhën paratë e taksave të tyre nuk shoqërohet me ndaljen e menjëhershme të vjedhjes.
Përndryshe, numri i të arrestuarve vërtet mund të rritet, por ai do të mbetet vetëm statistikë nëse shqiptarëve vijojnë t’u vidhen paratë në xhep përditë. / Mikel Ora – Zoom.al