zoom

Lajme

Arqile Bollano në krye të bashkisë, Beleri reagon nga burgu: Rama do pasuritë e Himarës

Nga burgu, Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur, ka reaguar pasi në krye të Bashkisë së Himarës është komanduar Arqile Bollano. Ky i fundit u zgjodh me 12 vota pro pasi Pjervin Gjikuria u tërhoq nga gara.

Beleri shkruan se me këtë lëvizje, “kryeministri Edi Rama do pasuritë e Himares dhe po përdor një vegël të tij si ky lake i verbër”, e quan Beleri Bollanon.

“Sot, Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama, nëpërmjet veglave qorre që i shërbejnë në mënyrë të paskrupullt dhe nëpërmjet forcës së pushtetit politik, konsumuan grabitjen e radhës së sovranitetit të popullit të Himarës duke caktuar si “kryetar të emëruar” një të pavotuar, një njeri që nuk përfaqëson askënd, një shërbëtor të pushtetit dhe një dështak në administrimin e Himarës. Vendosja në krye të Bashkisë e ndihmësit numër 1 të dështakut Jorgo Goro, servilit Arqilea Bollano, tregon se Rama do pasuritë e Himares, pronat e saj , ujin e saj, detin dhe vegël më të mirë për të grabitur se ky lake i verbër nuk mund të gjente!

Më tej, Beleri i drejtohet qytetarëve duke iu thënë se do të çojë para drejtësisë bandën, siç e quan ai, që po “uzurpon bashkinë”.

Hajdutllëku i “kryetarit te pavotuar” i faktuar ne 200 faqe raport nga kontrolli i KLSH-së dhe 10 milionë euro abuzime me tendera, është unaza që e mban për hunde të përzgjedhurin e Partisë në pushtet. I premtoj popullit të Himarës se shumë shpejt kjo bandë që ka uzurpuar Bashkinë Himarë dhe abuzon çdo ditë me pushtetin e pamerituar, të vjedhur dhe të sajuar nëpërmjet makinacioneve politike të ulëta, do të dalë para drejtësisë me çdo kusht! Falenderoj nga zemra çdo qëndrestar, çdo këshilltar të ndershëm, çdo qytetar të Himarës që po i kundërvihet autokracisë se instaluar në vend dhe premtoj se do të angazhohem personalisht më fuqishëm se kurrë për të demaskuar dhe luftuar këtë kaste dhe regjim autokratik. Së bashku jemi më të fortë”, shkruan Beleri.

Kujtojmë se dy ditë më parë la postin e saj, kryetarja e komanduar e Bashkisë Himarë, Blerina Bala. Bala e dorëzoi detyrën, rreth dy muaj pasi e kishte marrë. Në letrën e saj të dorëheqjes, ajo shkruante se detyrën po e linte për “për arsye personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen e saj të plotë.”

Blerina Bala u zgjodh më 29 mars nga Këshilli Bashkiak pasi dy kryetarët e bashkisë, ai në detyrë, Jorgo Goro dh ai i zgjedhur Fedi Beleri ndodhen pas hekurave.