zoom

Aktualitet

Armë, municione dhe atentate me mina/ Kush janë të arrestuarit e “Kompleksit” (EMRAT)

Me urdhër të Prokurorisë së Posacme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, policia dhe forcat RENEA zbuluan 18 baza që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe shitjen e armëve luftarake nga grupe kriminale që kryenin krime kundër personit.
Operacioni i koduar me emrin “Kompleks” zbardhi tri ngjarje kriminale me armë e eksploziv të ndodhura më parë, vuri në pranga 5 persona dhe shpalli në kërkim dy të tjerë.

ARMET E SEKUESTRUARA

Në operacion u sekuestrua një arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.

TE ARRESTUARIT

Me urdhër të SPAK u arrestuan shtetasit:

Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi, Arben Sufa.

Në kërkim u shpall shtetasi Sokol Gjura, i cili është larguar jashtë vendit javë më parë.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se këta persona, së bashku dhe me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 18 tetor 2019, në Tiranë, ku është tentuar të vritet me eksploziv të telekomanduar shtetasi Arjan Bylyku, kunati i Domart Konjarit, një emër i njohur për drejtësinë. Ai dyshohet si porositës i vrasjes së Devi Kasmit nga ish -komando grek Eftimius Eftimiu.

Shtetasi i shpallur në kërkim Sokol Gjura dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, janë autorë të sulmit me armë ndaj shtetasit Paulin Papleka, me profesion avokat, ngjarje e ndodhur më datë 10 shtator 2017, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë.

Gjithashtu, këta persona dyshohet se janë autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një lënde narkotike të dyshuar si heroinë në banesën e shtetasit Edmond Saraçi, ngjarje e ndodhur më datë 15 shtator 2017 në Tiranë.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Akil Kulla, i cili është shpallur në kërkim, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak, konkretisht një snajper prodhim i fundit, 4 kallashnikovë, dy granatahedhës, një pistoletë dhe pjesë për riparim dhe modifikim të armëve të zjarrit.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Bujar Jaupi, me profesion tornitor, i cili u arrestua në flagrancë, janë gjetur dhe sekuestruar 25 silenciatorë për armë të ndryshme të prodhuara nga ky shtetas në tornon që kishte në përdorim në ambientet e banesës, një pistoletë me mulli dhe qindra pjesë për modifikimin dhe riparimin e armëve të zjarrit.

Nga kontrolli i banesës së shtetasit Sokol Gjura, janë gjetur dhe sekuestruar radio si ato të policisë dhe të ushtrisë, një optikë termike speciale për snajper, ndërsa në magazinën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 20 makineta të reja të lojërave të fatit, 6 tavolina ruleti, një automjet i blinduar, si dhe automjeti i përdorur nga autorët në vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Arian Bylykut.

Ndërsa në banesën e shtetasit Paris Prenga janë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike kokainë.

Në banesën e shtetasit Flor Abazi janë gjetur një sasi municioni për armë zjarri, 2 qese me lendë narkotike kokainë dhe një automjet i blinduar.

Po në kuadër të operacionit, nga kontrolli në banesën e shtetasit Arben Sufa, me profesion tornitor, Policia gjeti një pistoletë dhe pjesë për silenciatorë.

Policia thotë se operacioni vijon për zbadhjen e ngjarjeve të tjera në të cilat dyshohet se janë të përfshirë këta shtetas dhe shtetas të tjerë. ©Zoom.al