zoom

Sport

Armand Duka falenderon stafin mjekësor të KF Tirana dhe u bën thirrje klubeve

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, falenderoi në mënyrë të veçantë stafin e doktorëve dhe fizioterapistëve të Tiranës, pas ndihmës që i dhanë mesufshorit Klevi Qefalija, i cili mori dëmtim të rëndë në kokë dhe u dërgua menjëherë në spital, ku fitoi edhe vetëdijen.

“Jam interesuar personalisht nga pasdita e djeshme deri më tani për gjendjen shëndetësore të futbollistit 18-vjeçar të KF Tirana, Klevi Qefalija, pas dëmtimit të rëndë në ndeshjen me Egnatian në javën e dytë të Abissnet Superiore.

Jam i lumtur që futbollisti është në gjendje të stabilizuar shëndetësore duke kaluar rrezikun. Shpresoj dhe uroj që të kthehet sa më parë pranë familjes dhe në gjirin e skuadrës.

Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë stafin e doktorëve dhe fizioterapistëve të KF Tiranës për vetëdijen, durimin dhe profesionalizmin e treguar në momentin e parë të ndërhyrjes në fushë, duke i shpëtuar jetën futbollistit.

Një falenderim i veçantë shkon për gjithë stafin e doktorëve në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndërhyrjen dhe reagimin e shpejtë duke siguruar ecurinë pozitive për shëndetin e lojtarit.

Duke qenë se jemi në fillim të kampionatit përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje të gjitha klubeve të çdo niveli, që nga kategoria “Abissnet Superiore” e deri te kampionatet e moshave, që të zbatojnë me rigorozitet të gjitha rregulloret e FSHF-së për organizimin e ndeshjeve. Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti dhe jeta e futbollistëve”, shkruan Duka. /zoom.al/