zoom

Bota

Arma e fshehtë e Vladimir Putin që zuri Perëndimin të papërgatitur

NATO beson se Rusia po e zhvillon edhe një luftë tjetër, një të padeklaruar, e njohur si “luftë hibride” dhe se caku është vetë Evropa Perëndimore, me qëllim dënimin apo parandalimin e vendeve evropiane nga vazhdimi i mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Pak pas mesditës në ditën e Krishtlindjes vitin e kaluar, punëtorët në kompaninë finlandeze të energjisë elektrike “Fingrid”, vërejtën se kablloja kryesore nën det që lidh Finlandën dhe Estoninë ishte dëmtuar, duke reduktuar shumë furnizimin me energji elektrike të Estonisë, ka raportuar “BBC”.

Atë mbrëmje, menaxheri i operimit të rrjetit, Arto Pahkin, ka deklaruar se “kemi disa linja hetimi, nga sabotazhi deri te problemet teknike dhe asnjë opsion s’mund ta përjashtojmë, dy anije kanë lëvizur afër kabllove gjatë kohës së problemit”.

Disa orë më vonë, roja bregdetare finlandeze ndaloi anijen ruse Eagle S dhe e dërgoi në ujërat finlandeze. Dyshohej se qëllimisht ka dëmtuar kabllon kryesore të elektricitetit “Estlink 2”.

Bashkimi Evropian ka deklaruar se anija e regjistruar në Ishujt Cook, në fakt është pjesë e “flotës hije të Rusisë”. Dyshohet se tankeri i vjetër bartte produkte të naftës ruse, të sanksionuara.

Policia finlandeze beson se Eagle S mund të ketë tërhequr spirancën e saj në shtrat të detit. Një spirancë është gjetur në rrugën e Eagle S, në thellësi deri në 80 metra, derisa fotot e bëra treguan se anijes po i mungonte spiranca. Policia finlandeze ka njoftuar se kanë pasur nëntë të dyshuar në një hetim penal lidhur me dëmtimin e kabllove.

Dëmtimi i kabllos 170-kilometërshe, Estlink 2, shënon incidentin e fundit në serinë e incidenteve që kanë dëmtuar apo këputur komplet kabllot nënujore në Baltik, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës 3 vjet më parë.

Pas këtij incidenti, NATO ka premtuar se do ta rrisë prezencën e saj ushtarake në detin Baltik, derisa Estonia ka dërguar një anije patrulluese për ta mbrojtur kabllon nënujore Estlink 1. BE-ja ka deklaruar se ky rast është “i fundit në serinë e sulmeve të dyshuara në infrastrukturën kritike”.

Rreth 600 kabllo nënujore në fund të detit bartin elektricitet dhe informacione në mes oqeaneve dhe deteve. Shpesh duke u shfaqur në vende sekrete, 1.4 milion km kabllo na afrojnë neve. Shumica janë kabllo të të dhënave, përgjegjëse pothuajse për të gjithë trafikun tonë të internetit.

Analistët thonë se gjithmonë ka mundësi për dëmtime aksidentale ose gabime njerëzore, por frekuenca e këtyre incidenteve ngre pyetjen se sa janë të ekspozuara ndaj sabotimit këto kabllo nëndetare.

Pse Perëndimi është i shqetësuar

Tani marrëdhëniet mes Rusisë dhe pjesës më të madhe të Evropës Perëndimore janë afër limitit. Marrëdhëniet mes tyre për një kohë të gjatë kanë qenë në rënie pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe mbështetjen që kjo e fundit ua dha rebelëve në lindje të Ukrainës në vitin 2014-të.

Në vitin 2022, Perëndimi u bashkua në kundërshtimin e pushtimit rus të Ukrainës – luftë që filloi 3 vjet më parë dhe deri më tash ka shkaktuar afro 1 milion viktima në të dyja anët dhe ka lënduar shumë të tjerë.

NATO beson se Rusia po e zhvillon edhe një luftë tjetër,  një të padeklaruar, e njohur si “luftë hibride” dhe se caku është vetë Evropa Perëndimore, me qëllim dënimin apo parandalimin e kombeve evropiane nga vazhdimi i mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Lufta hibride është kur një vend armik kryen një sulm anonim, të mohueshëm, zakonisht në rrethana të dyshimta. Do të jetë e mjaftueshme për të dëmtuar kundërshtarin, veçanërisht infrastrukturën, por jo aq i madh sa të konsiderohet akt lufte.

“Nëndetëset që zhyten thellë mund të shkaktojnë dëme të madhe në kabllot në thellësi, që do të bënte riparimet jashtëzakonisht të vështira, po ashtu ato mund të arrijnë kabllot më të ndjeshme nëndetare”, ka deklaruar Sidhart Kaushal, ekspert për  fuqinë detare në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.

“Në një konflikt me NATO-n… dëmtimi i infrastrukturës në det bashkë me infrastrukturën në tokë do të ishte pjesë kyçe e përpjekjes së gjerë të luftës së Rusisë, me qëllim që ta ulë gradualisht mbështetjen nga Perëndimi”, ka shtuar Sidhart Kaushal.

Duke bartur të dhëna dhe elektricitet mes vendeve në mikrosekonda, kabllot nëndetare evropiane janë arterie jetike.

Muajt e fundit deti Baltik është bërë cak për sabotimin e dyshuar të infrastrukturës nëndetare.

Në nëntor, Gjermania ka deklaruar se dyshon për sabotim pas dëmtimit të dy kabllove me fibra optike në detin Baltik të cilat shtrihen nga Gjermania për në Finlandë dhe nga Suedia për në Lituani.

Një muaj më vonë, roja bregdetare finlandeze ndaloi një tanker që transportonte naftë ruse, ajo dyshohet se ka prerë një kabllo të energjisë elektrike që lidh Estoninë dhe Finlandën.

“Mohimi i besueshëm”

Shembuj të tjerë të sulmeve të dyshuara, si pjesë e luftës hibride, janë pjesë e serisë së zjarreve në dërgesa që kanë pasur cak kompanitë e transportit në Britani, Gjermani dhe Poloni vitin e kaluar. Prokurorët polakë kanë deklaruar se incidentet ishin qartësisht me qëllim për t’i sabotuar fluturimet për në SHBA dhe Kanada.

Rusia mohon se ka pasur rol në aktet e sabotimit, por dyshohet se është mbrapa sulmeve të tjera në depot dhe rrjetet e hekurudhës së shteteve anëtare të BE-së, që përfshin edhe në sulmet në Suedi dhe Republikën Çeke.

Këto ngjarje kanë shtyrë disa qeveri perëndimore të dalin në përfundime se është e mundshme që agjencia e inteligjencës ushtarake ruse ka organizuar fushatë sistematike për sulme anonime në vendet që po e ndihmojnë Ukrainën.

Kërcënimi është marrë mjaft seriozisht sa që NATO dhe BE-ja kanë krijuar Qendrën Evropiane të Ekselencës për Luftimin e Kërcënimeve Hibride në vitin 2017.

Camino Kavanagh, kërkuese e lartë në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror në Londër, ka deklaruar se vendet mund të përdorin këtë formë të luftës sepse ka shumë mundësi për “Mohim të besueshëm”.

Fokusi i vendeve tani është në “mohimin e mohimit, nga perspektiva operacionale”. Për infrastrukturën nëndetare, kërkon kuptim të fortë të asaj se çfarë po ndodh në ujërat e saj, me qëllim që t’i identifikojë aktivitete të dyshimta.

“Ai aktivitet në zonën gri është diçka shumë, shumë e vështirë t’i përgjigjesh, por pas incidenteve të fundit, vendet janë duke u përmirësuar”, ka shtuar Kavanagh.

Çfarë janë kapacitetet nëndetare të Rusisë?

Ushtria ruse ka atë që Kaushal e quan “strukturë mjaft e ndarë në shtresa”.

Në ujërat më të cekëta, ai shton se përgjegjësia bie mbi Spetsnaz-in (forcat speciale), GRU-në (inteligjenca ushtarake) dhe flotës detare ruse. Por për veprime në mbledhjen e inteligjencës në thellësi të detit dhe operacione sabotimi, zakonisht ndërmerren nga Drejtoria Kryesore për Kërkim në Thellësi të Detit (GUGI), që raporton drejtpërdrejt te Ministria e Mbrojtjes dhe vetë presidenti rus Vladimir Putin.

Kaushal ka deklaruar se GUGI, përdor anije në sipërfaqe për zbulim dhe mbledhje të inteligjencës. Por për operime në det të thellë ai shton se ata përdorin “anijen mëmë” në formën e ish-nëndetëseve me raketa balistike nukleare dhe me raketa lundruese siç ishte Belgorod.

“Rusët kanë kapacitete të shumta që përfshijnë nëndetëse të mbështjella me titan, që mund të operojnë në thellësi prej mijëra metrash dhe që janë të pajisura me armë të manipulueshme”, ka shtuar ai. Stafet prej tre personave zakonisht janë oficerë detarë me përvojë të gjatë që kalojnë nëpër trajnime rigoroze të njëjta me ato të kozmonautëve.

Në thellësi të tilla është shumë sfiduese, edhe për flotën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të dijë saktësisht se çfarë po vendoset në shtratin e detit apo se çfarë po bëjnë ato nëndetëse në thellësi.

Përfundimisht, sipas Keir Giles (ekspert për çështjet ruse në Chatham House dhe autor i “Kush do ta mbrojë Evropën?”) sabotimi potencial i kabllove nuk duhet të shihet si një fenomen i izoluar, por si pjesë e programit shumë më të plotë të Rusisë që synon infrastrukturën e komunikimit dhe infrastrukturën kritike në përgjithësi.

Fokusimi i Rusisë në kabllot nëndetare të telekomunikimit është “pjesë e programit të tyre që siguron superioritetin e informimit – që mund të nënkuptojë ndërhyrje në informim”, ka shtuar ai. Kjo është sepse ata duan të ndajnë komunitete nga informimi në pjesë të veçanta të botës, përveç nga ato që i marrin nga Rusia. Kjo shihet si objektivë e rëndësishme për shkak të rëndësisë që kishte në pushtimin e Krimesë.

Qëndrimi mbi infrastrukturën

Sigurisht autoritetet në Finlandë nuk janë të vetme që dyshojnë për përfshirjen e Rusisë në dëmtimin e kabllove nëndetare.

Në nëntor të 2024-tës, anija ruse e zbulimit, Yantar, është parë duke qëndruar mbi infrastrukturës nëndetare kritike të Britanisë, sipas sekretarit të Mbrojtjes, John Healey.

Në janar të 2025-tës veprimi u përsërit, pasi Flota Mbretërore po monitoronte Yantarin, që ministra e Mbrojtjes ka njoftuar se po përdorej për të mbledhur inteligjencë për infrastrukturën nënujore të Britanisë. Healey e ka përshkruar këtë incident si shembull tjetër i rritjes së agresionit rus.

Britania ka rreth 60 kabllo nëndetare që dalin në breg në disa vende në vijën bregdetare të vendit, me koncentrim të veçantë rreth Anglisë lindore dhe në jugperëndim të Anglisë.

Nëse do të kishte një sulm të çfarëdo madhësie në infrastrukturën nëndetare të Britanisë, me shumë gjasë do të sfidohej nga sistemet e tjera të vendit, ka deklaruar Giles.

Ambasada ruse në Londër e ka përshkruar akuzën e Britanisë ndaj Yantarit si “komplet pa bazë”.

Ajo e lidhi me rritjen në histerinë kundër ruse, që ajo thotë se është përdorur nga Britania dhe aleatët e saj që me qëllim të eskalojnë tensionet në detin Baltik dhe në rajonet e detit Verior.

Besim naiv

Këtë vit, Komiteti i Përbashkët i Strategjisë për Sigurinë Kombëtare në Britani, i cili shqyrton strukturat për marrjen e vendimeve të qeverisë në lidhje me sigurinë kombëtare, nisi një hetim mbi sa e cenueshme është Britania ndaj sulmeve ndaj kabllove nënujore.

“Rusët, me shumë gjasë veçse kanë vendosur dronët e tyre nëndetarë në shtratin e detit, duke pritur për urdhra që mund apo nuk mund të vijnë, për të sulmuar kabllot dhe gypat. Anija zbuluese e tyre, Yantar, kush e di se çfarë ka qenë duke bërë në fund të detit për shumë vjet”, ka deklaruar Edward Lucas, autor dhe ekspert për çështjet që lidhen me Rusinë.

I gjithë rrjeti botëror i kabllove e gypave nëndetare, janë ndërtuar në një “bazë naive besimi”, ka shtuar Lucas.

“Kurrë nuk e kemi menduar se do të bëhet cak i një vendi armik, por tani ne jemi duke bërë korrjen e dekadave të injorancës, shpresa jonë është parandalimi, duke iu treguar rusëve se kostoja e tyre që dëmtojnë infrastrukturën tonë nëndetare do të ishte e dhimbshme për ta”, ka deklaruar Lucas.

Kavanagh ka deklaruar se Britania ka pak qëndrueshmëri të ndërtuar në infrastrukturën e saj, sepse riparimet mund të bëhen shumë shpejt, si dhe dizajni i kabllove nëndetare kohëve të fundit është bazuar në idenë se ato do të dëmtohen pas një periudhe, dhe duhet të zëvendësohen.

Giles e përshkruan përgjigjen e vendeve perëndimore ndaj njohjes së sfidave si shumë e vonuar. Por ai thotë se prerja e kabllove individuale nuk do të kishte aq ndikim sa do të kishte pasur kur Rusia filloi për herë të parë të shqyrtonte këtë mundësi.

Kjo është sepse të kesh shumë kabllo që lidhen me vendet e njëjta përmes rrugëve të ndryshme dhe sigurimin se ekosistemi i riparimit është i qëndrueshëm, tani janë pjesë e dizajnit sipas Kavanaghit.

“Është çliruese kur sheh se shumë vende tani janë fokusuar në kuptimin e dobësive të tyre në termet e qëndrueshmërisë, duke punuar gjithmonë e më afër me industrinë”,  ka deklaruar ajo.

Një thirrje zgjimi

Këto incidente, pavarësisht mohimeve të Rusisë se është e përfshirë, kanë shërbyer si një thirrje zgjimi për qeveritë evropiane se kjo infrastrukturë kritike është e pambrojtur, edhe nëse do të ishte fizikisht e pamundur për t’i mbrojtur të gjitha, në thellësitë e mëdha.

“Kërcënimi gjithmonë ka qenë aty, vetëm në mjedisin e tanishëm, aktorët kërcënues ndihen më të inkurajuar që të testojnë dhe hetojnë dhe shohin se çfarë do të funksionojë”, ka deklaruar Giles.

Lufta hibride po ashtu shërben si funksion mësimi për Rusinë.

“Ata e shohin se çfarë është ndikimi, po ashtu ata e shohin se çfarë është përgjigjja e vendit të sulmuar, kapacitetet për hetim, ndjekje penale, etj”, ka shtuar ai.

Termi afatgjatë, kapacitetet që Rusia i posedon i japin opsionin, në rast të paimagjinueshëm lufte, që të bëjë dëme serioze në ekonominë e Evropës dhe në jetët e përditshme të qytetarëve.

“Dhe nuk është vetëm për kabllot nëndetare, ajo është për të gjitha mënyrat e tjera që Rusia mund të arrijë distanca të mëdha për të ndikuar te populli në vendin e tij”, ka shtuar Giles.

Se si Perëndimi përballon kërcënimin e sabotimit të kabllove nëndetare është vetëm një nga frontet që po mundohet të përballet me Rusinë e Vladimir Putinit.

Postime të lidhura