zoom

In Zoom

“Arkitekturë skandal dhe i shëmtuar”, udhëtarët shpërthejnë për gjendjen e aeroportit të Rinasit

“Ajo që u promovua me shumë bujë i ngjan një kioske të shëmtuar”. Kjo është përshtypja që marrim nga E.R, një qytetare që sapo ka dalë nga aeroporti i Rinasit.

“Gjëja më e shëmtuar që është bërë,”-shton ajo.

Kur koncesioni i Aeroportit të Rinasit u mor nga “Kastrati Group”, kontrata parashikonte zgjerim të terminalit dhe një investim prej 100 milionë eurosh në këmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit me 13 vjet.


Por në vend të zgjerimit, terminali është ndarë në dysh, duke e berë atë të rrëmujshëm.

“Ta linin të paktën ashtu si ishte. Edhe ngjante më bukur edhe lëvizja ishte më e lehtë”, thotë SH.K, një tjetër pasagjere që del me një frymë jashtë, a thua se brenda është hedhur gaz lotsjellës.

“Na thanë, u vumë edhe ato kalimet pa sportele, por ato nuk punojnë moj bijë”, shprehet një e moshuar. “I kanë mbuluar me qese”, tregon ajo.

Kur prezantoi me bujë teknologjinë E-Gates, kryeministri Edi Rama tha se ky proces “zgjat më pak sesa gjysmë minuti, gjë që do lehtësojë shumë të gjithë fluksin e hyrjeve”.


Tani portat E-Gates ia shtojnë shëmtinë kioskës së madhe.

Kalimet bëhen si disa vite më parë, te sportelet e policisë, ku vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS është një telash tjetër edhe për pasagjerët e Rinasit.


Kompania koncesionare duhet të investojë 100 milionë euro për zgjerimin e pistës dhe të parkingut. Mungesa e vendeve për parkim është shkaku kryesor i trafikut të përditshëm në rrugën e Rinasit.

Në vend që t’i kërkonte llogari se nuk e kishte zgjeruar parkingun, qeveria sajoji rrugën me 1 kalim në Rinas, çka ngriti në protesta banorët e zonës. Protestat e detyruan të hapte një tender për një rrugë tjetër më të shkurtër, të fituar po nga një kompani nënkontraktore e “Kastrati Group”.


Po ndërkohë që punimet lënë për të dëshiruar, kompania koncesionare po merr fitime marramendëse. Sipas të dhënave në QKB, ajo ka fituar mbi 30 milionë euro në vitin 2021. Me këtë trend, ajo do t’i shlyejë brenda 3 vitesh investimet prej 100 milionë eurosh që parashikon kontrata.

Fitimi i shpejtë në dëm të shtetit ishte edhe arsyeja kryesore përse Ilir Meta e ktheu në parlament kontratën, kur ishte në detyrën e Presidentit të Republikës. Nëse investimi shlyhet për 3 vjet, koncesionari do t’i çojë të gjitha fitimet në xhepat e tij për 17 vjet të tjera, në vend që shkonin në arkën e shtetit. /Zoom.al