zoom

Aktualitet

Ardi Veliu në Velipojë, përse ai është shembull i keq për policinë (Shihni videon)

Me një polo “chic”, pantallona e këpucë fine, i hekurosur sikur sapo ishte nisur për ndonjë festë mes miqsh! Kështu u shfaq në Velipojë, pas përplasjes me armë që la 4 të vdekur, numri një i policisë, Ardi Veliu.
Me një ecje prej “të forti”, barkun e rritur që tregon rehati, ai parakaloi para kamerave që kishin disa orë me blicat drejtuar nga vendi ku mbetën të vrarë 4 njerëz, sa për të marrë pak vëmendje.
Në vend të sigurisë që duhej të jepte, ngjalli përcmimin e gazetarëve që e panë praninë e tij aty si show, aq sa e etiketuan si të pafytyrë. Dikush mund të mendojë se ai është veshur ashtu nxitimthi. Por ai s’ka pasur asnjë nxitim, pasi kur ai mori vesh lajmin, ende pa u nisur nga Tirana, gjithçka kishte përfunduar. Ai s’mund të bënte asgjë me praninë e tij. Duhet ta kishte bërë më parë detyrën, duke mos i lënë armët sheshit.
Ashtu, pa uniformën e policisë, që në të tilla raste duhet të ishte më prezente se kurrë, ai nuk foli. Nuk dha asnjë sqarim për vrasjen.  Thjesht parakaloi si për të thënë që e bëri punën e tij, pasi e prishi rehatinë duke u ngritur nga Tirana për të shkuar në Velipojë, 1 orë e 30 minuta rrugë me makina policie e shoqërues me sirena. Këtu dukej sikur mbaronte misioni i tij, thjesht tek dukja.
Ky është edhe shembulli që ai përcjell te vartësit e tij, duke dhënë mesazhin se të qënit i pranishëm ka më shumë rëndësi se puna e bërë, se t’u dalësh përpara kamerave është më e dobishme sesa t’u dalësh përballë çdo ditë kriminelëve që s’kanë lënë plazh e hapësirë publike pa zaptuar e që lëvizin lirshëm me armë në brez.
Ardi Veliu tentoi të tregojë njeriun që punon pa orar. Por ai na shfaqi në të vërtetë kryepolicin që po vë bark nga mirëqenia e pushtetit që i ka dhënë emërimi i pamerituar në një detyrë me kaq përgjegjësi, çka na e faktojnë çdo ditë kriminelët që na parakalojnë para syve njësoj si ai. /Zoom.al