zoom

Lajme

Arbana Osmani flet “pa dorashka” për Big Brother dhe arsyen pse u largua

Si rrallë herë, Arbana Osmani shpjegoi gjerësisht pse këtë sezon nuk e prezanton ajo formatin me të cilin të gjithë e identifikonin, Big Brother.

Në një podcast me Mira Kazhanin, Arbana sqaroi se vendimi ishte personal dhe ishte marrë që në mbyllje të sezonit të dytë të Big Brother VIP.

Moderatorja shtoi se arsyet lidheshin me angazhimet dhe projektet e tjera që kishte në jetë, duke hedhur poshtë zërat se ka një krisje mes saj dhe motrave Hoxha e Ledion Liços.

“Nuk ndodhi asgjë. Unë e shpjegova pak momente më përpara. Vija nga një periudhë shumë e ngjeshur dhe vendimi im për të vazhduar projekte, dëshira, qoftë edhe qëndrimi më shumë me fëmijët, ndjekja e pasioneve të mia, hapja e një sipërmarrje të re, bërja e gjërave ndryshe.

Unë e kam bërë Big Brother për shumë shumë vite. Kam bërë programe të tjera për shumë vite. E kuptoj që publiku është i lidhur me mua shumë në figurën e Big Brother, aq më tepër gjatë këtyre dy viteve të fundit, ku Big Brother ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm.

Po ashtu unë e di që publiku mësohet edhe me një figurë tjetër. Iki unë, vjen dikush tjetër. Asnjëherë s`e kam menduar që është një herezi e madhe të lësh një projekt, sepse po lë të tjerët në baltë. Vazhdimisht kur e di se gjërat mes meje dhe njerëzve të mi të afërt, për tematika të caktuara, janë krejt të qarta, nuk e ndjej të nevojshme të jap shpjegime publike, në të gjitha sferat. Kështu që nuk e ndjeva që unë në finalen e Big Brother duhet të thoja: Shiko se ky është edicioni im i fundit.

Se unë jam një nga hallkat e programit. Njerëzit do ta ndjekin programin me ose pa mua, ç`rëndësi ka a do jem a s`do jem unë. Nuk e ndjej se duhet t`i jap gjithë këto kredite vetes për ta glorifikuar këtë personazhin tim dhe pozicionin tim. Shiko se unë po iki dhe po ju lë… Thashë, kur të fillojë Big Brother unë do bëj një urim nga zemra për ata të cilët do ta vazhdojnë programin edhe e mendova të mjaftueshme”, tha Arbana Osmani.

Ajo u pyet edhe për thashethemin se arsyeja e shkëputjes së saj nga Big Brother ishte shuma prej 600 mijë eurosh e kërkuar prej saj.

”Nëqoftëse unë do të kisha vendosur paratë si një pikë vendimtare që ka të bëjë me vendimet e mia të rëndësishme, do kisha qenë o shumë, shumë e pasur, o shumë, shumë e varfër. Paratë nuk janë kurrë në zemrën time”, u përgjigj Arbana Osmani.