zoom

Politikë

Apeli i GJKKO lë në “arrest shtëpiak” Berishën, avokati: Vendim politik, po tentohet… (VENDIMI)

Apeli i GJKKO-së la sot në fuqi masën e ‘arrestit shtëpiak’ për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Berisha kërkonte ndryshimin e masës, që ishte caktuar më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por gjykata vendosi të lërë në fuqi këtë masë, me mbikëqyrje policore.

Po sot, në orën 10:00 do të dalë para prokurorëve të SPAK edhe dhëndri i ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi, i cili do të pyetet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Berisha po hetohet për të njëjtën çështje, ndërsa akuzohet për korrupsion.

Kurse avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj, ka folur për mediat në lidhje me vendimin e marrë nga Apeli i GJKKO mbi masën “arrest shtëpie”.

Gjokutaj u shpreh se qëllimi i një vendimi të tillë është izolimi i Berishës, ndërsa shtoi se hapi i radhës është rekursi në Gjykatën e Lartë. Avokati tha se për gjykatën nuk ka rëndësi në Berisha është apo jo në shërbim të procesit, ndërsa shtoi se beteja vijon.

“U dekriptua qëllimi politik i mbajtjes. Nuk ka rëndësi nëse ish- kryeministri paraqitet apo është në dispozicion të hetimit. Qëllimi është që ai të izolohet. Gjykata nuk është shprehur gjithashtu mbi kërkesën për përjashtimin që kemi ankimuar. Beteja vazhdon”, tha ai.

Vendimi Apelit të GJKKO:

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi:

Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. /ZOOM.AL/