zoom

Bota

Antony Blinken mbërrin në Izrael, do i kërkojë qeverisë ndalimin e luftimeve në Gaza

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur sot në Tel Aviv, në vizitën e dytë në vend që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Blinken pritet t’i kërkojë qeverisë izraelite që të ndalojë luftimet në Gaza, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë armëpushim të përgjithshëm, por një pauzë “të përkohshme, të lokalizuar”.

Para se të larguohej nga Washington, Blinken tha se do të diskutonte hapat konkretë për të minimizuar dëmtimin e civilëve në Gaza gjatë vizitës së tij në Izrael.

Që kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1.400 izraelitë, të paktën 9.061 palestinezë janë vrarë në luftë, kryesisht gra dhe të mitur, dhe më shumë se 32.000 njerëz janë plagosur, tha të enjten ministria e shëndetësisë në Gaza.

Numri i të vdekurve është i paprecedentë në dekadat e dhunës izraelito-palestineze, raporton Associated Press.

Më shumë se 3.700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditë luftime, më shumë se gjashtëfishi i 560 fëmijëve që OKB-ja kishte raportuar të vrarë në 19 muajt e luftës në Ukrainë deri më 8 tetor.

Bombardimet kanë dëbuar më shumë se gjysmën e 2.3 milionë banorëve nga shtëpitë e tyre. Ushqimi, uji dhe karburantet po mbarojnë nën rrethimin e Izraelit dhe spitalet e mbingarkuar paralajmërojnë se janë në prag të kolapsit.