zoom

Aktualitet

Ankesat për provimin e biologjisë, Kushi pranon se cilësia e tezës ishte e dobët?

Ministria e Arsimit Evis Kushi ka publikuar skemën e vlerësimit për testin e biologjisë në provimin me zgjedhje në maturën shtetërore dhe bashkë me të edhe një sqarim për maturantët.

Kushi shprehet se i ka marrë të gjithë mesazhet e maturantëve dhe ka ndjekur me vëmendje shqetësimet e tyre.

Ajo thekson se për çdo rast do të merren masat e nevojshme që maturantët të vlerësohen sipas meritës dhe nivelit të arritjeve.

“Të dashur maturantë, i kam marrë të gjitha mesazhet tuaja dhe i kam ndjekur me vëmendje shqetësimet në lidhje me testin e biologjisë”, shkruan Kushi.

Ajo ka shtuar se po konsultohet me mësues dhe ekspertë të fushës për të vlerësuar cilësinë e testit.

“Për çdo rast, ju sigurojmë që do të marrim të gjitha masat e nevojshme që ju të vlerësoheni sipas meritës dhe nivelit të arritjeve. Suksese!”, përfundon Kushi.

Ky reagim vjen pasi shumë maturantë të cilët sot kryen provimin e Biologjisë (lëndë me zgjedhje) u ankuan për pyetjet dhe faktin se provimi ishte jashtë temave të mësuara në shkollë.