zoom

Sport

Ancelotti kërkon të sjellë në Madrid yllin e Premier League

Real Madrid synon që në sezonin e ardhshëm të jetë më i kompletuar në repartin ofensiv dhe specifikisht sa i takon qendrës së sulmit.

Karim Benzema vijon të mbetet zgjedhja e parë për Los Blancos, megjithatë mosha nuk premton më të njëjtën energji si në vitet e kaluara, shto këtu edhe problemet fizike që e kanë shoqëruar së fundmi francezin.

Ndaj, merkato e verës pritet të ketë prurje në sulm.

Trajneri Carlo Ancelotti i cili konfirmoi se do të qëndrojë të paktën edhe për një tjetër sezon me kryeqytetasit, i ka bërë të ditur drejtuesve lojtarin që dëshiron.

Fjala është për Richarlison, aktualisht pjesë e Tottenham.

Zgjedhja e Ancelottit nuk është e rastësishme pasi me brazilianin ka bashkëpunuar tek Everton dhe marrëdhënia me 26-vjeçarin duket se mbetet korrekte.

Richarlison ka një kontratë që e lidh me Tottenham deri në vitin 2027, por aventura e tij me Spurs-at nuk shkoi sipas pritshmërive dhe nisja e një eksperience të re jashtë Anglisë mund ta “josh” edhe më shumë sulmuesin.

Nga ana tjetër, Richarlison do të gjente në Madrid edhe shumë miq të kombëtares braziliane si Militao, Vinicius Junior dhe Rodrygo.

Një fakt që do t’ia lehtësonte jashtë mase adaptimin në futbollin spanjoll, pa harruar siç e përmendëm edhe më sipër “njohjen e vjetër” me trajnerin Ancelotti. /Zoom.al/