Aplikacion
Tirana e Orges Shehit përballë Partizanit të Dritan Mehmetit, në një përballje që përcakton shumë për fatet e skuadrave në fazën vendimtare të sezonit. Të dy skuadrat vijnë me moral të lartë, pas fitoreve të fundit me Teutën dhe respektivisht Kukësin, këtë mesjavë.
Bardheblutë triumfuan me rezultatin 2-0 në “Elbasan Arena” përballë durrsakëve dhe ndodhen në një distancë të largët me Laçin e vendit të dytë, me vetëm 8 pikë diferencë, duke përfituar nga ndalesa e kurbinasve përballë Egnatias, sfidë kjo e përfunduar në barazim pa gola.
Objektivi i skuadrës së drejtuar nga trajneri Orges Shehi është i qartë, titulli i 26-të dhe mund të themi pa frikë se janë në rrugën e duhur për ta fituar atë nëse ia dalin të vazhdojnë këtë ecuri fantastike deri në fund të sezonit.
Stacioni i rradhës i dërgon në stadiumin “Air Albania”, në shtëpinë e tyre të dytë , ku në 12 ndeshje bardheblutë kanë koleksionuar 10 fitore dhe 2 barazime, me një golavarazh fantastik prej 30 golash të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar.
Tirana është e zonja e shtëpisë në këtë stadium dhe të kujton skuadrën e madhe angleze Liverpool, e cila e ka shndërruar tempullin e saj “Anfield Road” në një fortesë të vërtetë. Ndaj dhe ndeshja e rradhës me Partizanin pritet me shumë interes nga të gjithë sportdashësit shqiptarë, ku 90 minuta mund të përcaktojnë shumë objektivat që ato kanë në këtë fazë të fundit të kampionatit, me skuadrën e Shehit e cila synon të arrijë tek titulli i rradhës dhe skuadra e Mehmetit që kërkon të kapë kupat e Europës.
Në anën tjetër Partizani është rikthyer në ecurinë pozitive në kampionat pas suksesit në këtë stadium me Kukësin. Një manita që ka kthyer entuziasmin dhe momentin e mirë tek të kuqtë, të cilët duan të vazhdojnë deri në fund drejt objektivit të vetëm dhe përballja me Tiranën është një tren i rëndësishëm për tu ngjitur një shkallë më lart në tabelën e klasifikimit.
Tirana-Partizani, një derbi që zhvendos vëmendjen e të gjithëve për magjinë dhe spektaklin që zbarkon në tapetin e gjelbërt, aty ku emocionet janë të garantuara dhe skuadrat japin shfaqjen e tyre më të mirë për kënaqësinë e tifozëve në stadium.
Ndeshja nis në orën 19:45.
/Zoom.al