zoom

Ide & Blog

Analizë/ 2 leksione demokracie që ukrainasit po i japin Amerikës

Ukrainasit tani po ndërtojnë monumentet e tyre të demokracisë, me gjakun e tyre. Për më shumë se një javë, bota është tronditur nga beteja për të zmbrapsur ushtrinë e fuqishme ruse dhe për të ruajtur lindjen e demokracisë në atdheun e tyre.

Ditët e fundit, histori të guximit ukrainas janë dëgjuar në mbarë botën: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky refuzoi një ofertë për ta evakuuar atë nga vendi duke thënë:

“Lufta është këtu; kam nevojë për municion, jo për një udhëtim”; ushtarët e rrethuar të ishullit të gjarpërinjve, të cilët i thanë një luftanijeje ruse “shkoni p******”; Imazhet e civilëve ukrainas që bënin kokteje molotov dhe mbanin pushkë sulmi ndërsa shkonin në vijën e frontit.

“Çdo ditë që kalon, shton më shumë histori që ukrainasit do të tregojnë jo vetëm në ditët e errëta që vijnë, por në dekadat dhe brezat që do të vijnë,” tha autori dhe historiani Yuval Noah Harari në një ese të fundit.

“Këto janë gjërat nga të cilat janë ndërtuar kombet. Në plan afatgjatë, këto histori mbahen mend më shumë se tanket.”

Por ka edhe  një arsye tjetër pse beteja e Ukrainës është kaq frymëzuese: Kjo është gjithashtu gjëja që ndërtoi SHBA-në.

Lufta në Ukrainë nuk është vetëm një luftë gjeopolitike – është një thirrje për t’u kujtuar. Guximi i popullit ukrainas është një kujtesë e asaj që SHBA-të ishin dikur — një “fener lirie”, ku pothuajse çdo nxënës shkolle mësoi përmendësh poezinë “Himni i Konkordit” të gdhendur në bazën e statujës së Minute Man.

Ukrainasit po u mësojnë amerikanëve dy mësime për demokracinë që shumë prej nesh i kanë harruar.

Mësimi 1: Mbrojtësit më të egër të demokracisë janë ata të cilëve u është mohuar ajo

Tradita demokratike e Ukrainës ka pak krahasim me SHBA-në në plan të parë. Vendi ka qenë i pavarur vetëm për  31 vite.

Dhe nuk është e qartë se të gjithë ata që kundërshtojnë Rusinë po luftojnë për demokracinë liberale në Ukrainë. Ka prova se ultra-nacionalistët dhe grupet e ekstremit të djathtë janë pjesë e rezistencës së armatosur të Ukrainës.

Ukraina kufizohet gjithashtu me Rusinë, një regjim shtypës që ka instaluar më parë qeveri kukull në vend. Vendi është i njohur për liderët brutalë që imponojnë vullnetin e tyre mbi popullin e tij. Diktatori rus Jozef Stalin shkaktoi vdekjen e afro 4 milionë ukrainasve në vitet 1930 duke krijuar një zi buke. Pushtimi gjerman i Ukrainës në Luftën e Dytë Botërore çoi në vdekjen e rreth shtatë milionë njerëzve.

Por kjo histori brutaliteti është pjesërisht arsyeja pse kaq shumë ukrainas janë të gatshëm të luftojnë kaq fort për demokracinë.

Liria është më e ëmbël për ata që nuk e kanë pasur kurrë.

Kjo është e njëjta dinamikë që ndihmoi krijimin e SHBA. Besimtarët më të zjarrtë në demokracinë amerikane priren të vijnë nga grupe të cilave u është mohuar liria dhe barazia – qoftë në SHBA ose nga vendi i tyre i origjinës.

Njerëzit e parë që e bënë realitet një demokraci të vërtetë në SHBA ishin marshuesit e të drejtave civile të zezakëve në Selma, Alabama dhe qytete të tjera jugore. Ata detyruan SHBA-në të braktiste sistemin e saj politik neo-aparteid duke e shtyrë Kongresin të miratonte Aktin e të Drejtave të Votimit të vitit 1965.

Mësimi 2: Njerëzit e zakonshëm janë heronjtë e vërtetë të demokracisë

Kur një ekip i CNN intervistoi së fundmi presidentin ukrainas Zelensky në një bunker në Kiev, ai tha diçka që ishte shokuese.

Një gazetar e pyeti se si ishte të kaloje nga të qenit aktor komik në një udhëheqës të mirënjohur globalisht në kohë lufte. Por Zelensky nuk ishte i interesuar të shtonte lavdërimet perëndimore për udhëheqjen e tij karizmatike.

“Unë nuk jam ikonë,” tha ai. “Unë mendoj se Ukraina është ikonë.”

Njerëzit e zakonshëm, jo liderët karizmatikë, mbështesin demokracinë. Ky ishte një besim i fortë gjatë gjithë historisë së SHBA.

Njëherë e një kohë shumica e të rinjve bashkoheshin me ushtrinë ose  shkonin në qeveri si pjesë e ndonjë forme shërbimi publik. Kjo pritshmëri vlente edhe për të pasurit dhe të famshmit. Kjo është një pjesë e arsyes pse ish-presidenti George H.Ë. Bush, nipi i një industrialisti çeliku dhe pasardhës i një familjeje të pasur, u regjistrua si pilot luftarak në Luftën e Dytë Botërore.

Kjo fuqi e njerëzve të zakonshëm është ajo që ngjalli Zelensky kur bëri nëj deklaratë  për popullin rus dhe ukrainas përpara pushtimit të Rusisë. Ai tha se ekzistonte një grup që mund të parandalonte përfundimisht luftën:

“Njerëz të zakonshëm. Njerëz normalë dhe të zakonshëm’’.

Ky është një mësim që shumë amerikanë bashkëkohorë duket se e kanë harruar. Diskursi ynë politik drejtohet nga kërkimet për një shpëtimtar: një lider karizmatik që do të mposhtë palën tjetër. Shumë nuk besojnë më se njerëzit e zakonshëm mund të ndryshojnë gjithçka./ CNN, – Përgatiti në shqip për Zoom.al M.C/