zoom

Aktualitet

AMP: Asnjë presion ndaj efektivit të Policisë Rrugore A.S

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar publikisht për rastin e oficerit të policisë rrugore, A.S, i cili u rrëzua nga lartësia pak ditë më parë dhe tashmë ndodhet për kurim në Spitalin e Traumës.

AMP ka nisur hetimet në lidhje me rastin referuar aludimeve që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet, edhe pse në lidhje me këtë ngjarje nuk ka patur një ankesë apo pretendim zyrtar.

Njoftimi zyrtar për media:

Nisur nga interesi i disa mediave, pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e duke marrë shkas nga lajmet e publikuara në media dhe rrjete sociale, lidhur me ngjarjen e oficerit të Policisë A.S., në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor Tirane, strukturat e AMP-së Tiranë pavarësisht se nuk kanë administruar një ankesë apo pretendim zyrtar, kryen verifikimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Kështu, në kuadër të veprimeve verifikuese, që nga momenti i marrjes dijeni, drejtuesit e AMP-së Tiranë janë paraqitur pranë Spitalit të Traumës, për t’u interesuar mbi shëndetin e punonjësit të Policisë, por dhe për të administruar çdo pretendim të mundshëm, për shkak të detyrës.

Nga deklarimi me shkrim i administruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, punonjësi i Policisë A.S. nuk ngre asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, apo çdo formë tjetër presioni, shantazhi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj.

Veprimet verifikuese vazhdojnë për sqarimin e plotë të ngjarjes.

AMP falënderon mediat për besimin e mirëkuptimin dhe inkurajon publikun të denoncojë çdo rast paligjshmërie në numrin e gjelbër (pa pagesë) 08009090.

Postime të lidhura