zoom

In Zoom

Amnistia Fiskale e Penale, për emigratin e vuajtur apo për bosët e shtëpive të barit?

Edhe pse të gjitha organizmat ndërkombëtare janë kundër, qeveria shqiptare hodhi për diskutim projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale. Deri tani Shqipëria ka njohur amnnisti fiskale, e cila ka pasur për qëllim vetëm legalizimin e parave të atyre bizneseve që kanë fshehur të ardhura ndaj tatimeve.

Tani, projektligji i ri synon të legalizojë paratë e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, pa qenë nevoja të provohet nëse ata merren me punë, biznese apo aktivitete të tjera.

Çdokush do të mund të deklarojë deri në 2 milionë euro, duke paguar vetëm 7 % në tatime, ose 5 % nëse i investon paratë në bono thesari, pa qenë nevoja të thotë se nga vijnë këto para. Madje, me të marrë certifikatën që do të japë qeveria pas këtij deklarimi, prokuroria dhe policia do të rrijnë si guhak dhe nuk do të kenë mundësinë më të vogël ligjore që të gjurmojnë prejardhjen e parave.

Është larg mendsh që qeveria të jetë kujtuar për t’u bërë një nder emigrantëve që punojnë në të zezë, siç përpiqet ta shesë ajo amnistinë. Qeveria nuk ka pasur asnjëherë një numër të saktë të shqiptarëve që punojnë në të zezë në Shqipëri e aq më pak në vendet e ndryshme të botës.

Meqë Damian Gjiknuri i ftoi dje “çunat e Londrës” t’i sjellin paratë në Shqipëri, le të bëjmë së pari një llogari të thjeshtë për të kuptuar se cilët janë “londinezët” që do të duan të legalizojnë paratë.

Pagat për punëtorët e krahut në Angli, si ndërtim, lavazh, pjatalarës (këto janë punët ku dikush mund të punojë në të zezë dhe jo nëpër zyra), variojnë nga 2,000 deri në 3,500 paund. Një pjesë e këtyre parave shkon për qira shtëpie, ushqim e veshmbathje. Një shtëpi me qira në Londër ku mund të jetojnë 3-4 persona, në zonat më periferike të saj, nis me 1,200 paund në muaj, pa shtuar këtu faturën e energjisë, gazit dhe taksat e tjera. Ushqimet dhe veshmbathja kushtojnë mes 200 dhe 500 paund në muaj. Tansporti publik ka gjithashtu një kosto afërsisht 50-100 paund në muaj.

Le të supozojmë se emigranti në të zezë ka kursyer rreth 1.500 paund në muaj, ose 18,000 paund në muaj, ose 180,000 paund në 10 vjet, nëse ka punuar çdo ditë pa ndërprerje, pa pasur shpenzime shtesë për situata të paparashikuara. Ku mund t’i ketë mbajtur një emigrant i tillë 180,000 paund, nëse s’i ka dërguar muaj pas muaji pranë familjes së tij?

Nëse i ka ruajtur nëpër muret e kushedi sa shtëpive i është dashur të lëvizë, si do t’i sjellë ai në Shqipëri? Me çantë? Si do t’i kalojë nëpër aeroporte? Apo do t’i sjellë si “Toyota Yaris”, me makina. Po nëse kapet nëpër Francë, Gjermani, Itali etj, çfarë do të duhet të thotë, që i kam kursyer nga puna në të zezë dhe po i çoj në Shqipëri se do të m’i legalizojë Edi Rama?

Përfytyroni sadopak një polic gjerman që gjen në bagazhin e një makine 180,000 mijë pound “cash” dhe një shqiptar i lodhur nga puna në ndërtim për 10 vjet me radhë që i thotë se janë kursimet e tij.

Tani le të shohim se cili lloj emigranti mund të ketë deri në 2 milion euro të padeklaruara.

Nëse ndjekim makinat luksoze me targa angleze që bëjnë xhiro papushim në zonat më të frekuentuara të Tiranës apo të bregdetit në këtë sezon veror, në timon do të shohim djem që vishen me Louis Vuitton, Philip Plein, Gucci, Dolce & Gabbana, Balmain, Armani, Boss, McQueen etj. Vendet që frekuentojnë, baret apo restorantet, janë më të shtrenjtit në vend. Makinat e tyre kushtojnë secila mbi 100,000 paund.

A mundet që një emigrant që punon në sektorin e ndërtimit, lavazhier apo pjatalarës të bëjë një jetë kaq luksoze? Nëse ka blerë një makinë kaq të shtrenjtë, ç’para i kanë mbetur për të sjellë në Shqipëri? Nëse vetëm një linjë veshjesh i kushton 5,000 paund, sa do të ketē qenë paga e tij mujore në Angli? A është ky ai lloji i emigrantit që “ka fjetuar në pemë” për të kursyer, siç kërkon ta shesë kryeministri Edi Rama për të na hedhur hi syve mbi qëllimet që ka amnistia fiskale e penale?

Këto dy lloj emigrantësh shoqëria jonë nuk e ka aspak të vështirë t’i dallojë. Ne e kemi parë dhe e shohim jetën që bëjnë emigrantët që kanë punuar punë krahu. E kemi parë cilësinë e jetës së tyre. Ata, edhe kur kthehen në Shqipëri, e kanë të vështirë të fusin dorën në xhep për të paguar, sepse e dinë si i kanë fituar ato para.

Le të jemi të qartë! Amnistia fiskale e penale nuk bëhet për punëtorët e ndërtimit, lavazhierët, pjatalarësit, ata që kanë punuar në bujqësi, ata që i kanë duart e rreshkura, plot kallo e mbushur me të çara.

Amnistia bëhet për “çunat e Londrës” që kanë jetë të shfrenuar luksoze si në Londër ashtu edhe në Shqipëri. Ata që kanë qindra mijëra e miliona paund, euro apo dollarë të fituara nga punët e pista. Ata “të guximshmit” e Gjiknurit, që ai dhe shefi i tij kërkojnë të na i shesin për njerëz të ndershëm. Ata që nën qeverinë e shefit të Gjiknurit na janë shndërruar në model për fëmijët. Ata që u tregojnë të rinjve shqiptarë se arsimi nuk është i rëndësishëm, sepse i pasur mund të bëhesh edhe duke “rrezikuar pak” në Londër.

Ata që kanë para për të legalizuar janë shokët e atyre që shohim përditë në mediat angleze se si kapen me shtëpi bari, me dhjetëra kilogramë kokainë; ata që grabisin shtëpi e biznese, si drejtori i Ujësjellësit të Kurbinit që u arrestua se kishte grabitur në Spanjë shtëpinë e futbollistit Karim Benzema.

Ata që kanë para për të legalizuar janë edhe ministra, drejtorë, ish-drejtorë, zyrtarë e ish -zyrtarë që kanë vjedhur për vite me radhë paratë e taksapaguesve dhe bëjnë një jetë aq luksoze sa nuk mund ta përballonin në asnjë mënyrë me pagat që kanë marrë apo marrin.

Bizneset në Shqipëri nuk kanë para për të legalizuar. Ata mund të kenë fshehur ndonjë faturë tatimore, por shumica e tyre mezi mbahen në këmbë. Është larg mendsh që të kenë thasë me para që t’ia kenë fshehur shtetit. Ata biznese që mund të kenë para të fshehura janë ata që merren me kontrabandë.

Ata që kanë punuar ndershmërisht nuk kanë para për të legalizuar.

Amnistia fiskale dhe penale u shërben vetëm atyre që kanë vjedhur me thasë shtetin dhe që kanë thasë me para nga aktivitete të paligjshme. Emigrantët e ndershëm i kanë edhe portofolët e grisur. Ata e dinë më mirë sesa ne që ligji nuk po bëhet për ata. /Zoom.al