zoom

In Zoom

Amnistia fiskale e Edi Ramës. BE e SHBA kundër, çfarë rrezikon Shqipëria dhe vetë kryeministri?

Kryeministri Edi Rama ka vendosur ta fusë vendin në një rrugë qorre dhe rrezikon ta përplasë me partnerët kryesorë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për të dytën herë nën qeverisjen e tij ai po tenton të bëjë atë që asnjë qeveri e mëparshme nuk ka mundur ta bëjë, pikërisht për shkak të kundështisë së prerë të ndërkombëtarëve: Amnistinë Fiskale dhe Penale.

Nëse herën e parë dështoi si pasojë e “tërheqjes së veshit” nga Bashkimi Europian, tani ai po i thotë Brukselit se nuk mund të tërhiqet nga diçka për të cilën është dakord populli, të cilin ai pretendon se e pyeti përmes formularit të Këshillimit Kombëtar, një proces jo transparent me shumë pikëpyetje, larg vendim-marrjes së popullit, që janë referendumet.

“Janë nisur dhe janë ndalur qeveritë më parë, jemi nisur dhe ndalur dhe ne. Tani ka folur opinioni publik shqiptar që është më shumë sesa të flasë një shumicë qeverisëse. Tani këtë gjë duhet ta marrin në konsideratë dhe partnerët tanë, që këtu duhet të bëhet ajo që thotë populli shqiptar”, -tha kryeministri në një mesazh që u drejtohej ndërkombëtarëve më shumë sesa opinionit publik shqiptar.

Por çfarë do të thotë kjo aministi?

Synimi është legalizimi i parave që qarkullojnë jashtë bankave. Paratë jashtë sistemit vijnë kryesisht nga trafiku i drogës, aktivitetet e tjera kriminale, korrupsioni, kontrabanda apo evazioni fiskal.
Rreth 2.5 miliardë euro besohet se qarkullojnë “në të zezë” dhe sipas ish -ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri ato janë përdorur edhe në zgjedhjet e përgjithshme.
Qeveria Rama synon t’i legalizojë këto para. Gjithësecili mund t’i deklarojë si para nga aktivitete të ligjshme, të ardhura kryesisht nga puna e parregullt në emigracion apo nga aktivitete biznesi informal brenda vendit.
Nga procesi do të përjashtohen personat me rekorde kriminale dhe ata që kanë mbajtur funksione shtetërore.
Ata që i deklarojnë paratë nuk do të ndiqen penalisht.
Kritikët thonë se në këtë mënyrë do të legalizohen edhe paratë e grupeve kriminale, përmes të afërmve të tyre apo individëve të tjerë.

Çfarë rrezikon Shqipëria

Organizmat ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin se me amnistinë fiskale i hapet rrugë pastrimit të parave, një fenomen për të cilin Shqipëria është kritikuar në çdo raport të agjencive të huaja të specializuara. Moneyval, Komisioni Europian, Këshilli i Europës apo FMN e rendisin Shqipërinë si vend problematik.

“Shqipëria ka mbetur në listën e vendeve me monitorim të shtuar, të ashtuquajturën lista gri, e pastrimit të parave, edhe pas rifreskimit të fundit në mars 2022” -rezulton në raportin e Komisionit Europian.

Dëmi më i madh që i kanoset vendit është futja në listën e zezë edhe të sistemit bankar. Kjo do të thotë se Shqipëria mund të përjashtohet nga sistemet e pagesave, ndërsa bankat e huaja mund të largohen me shpejtësi, për të mos qenë pjesë e një sistemi ku legalizohen paratë e drogës.

Me legalizimin e parave të pista, konkurrenca e pandershme do të jetë në sistem, për shkak se biznese që kanë kryer prej vitesh evazion fiskal, do të konkurrojnë si të barabartë me ato biznese që kanë paguar çdo taksë shtetërore e vendore.

Rreziku për Ramën

Vetë kryeministri, i cili beson se me me këto para do të mbushë arkën e shtetit që është boshatisur, rrezikon të ketë “sanksione” nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rama ka nisur fushatën populiste për të bindur kritikët dhe ndërkombëtarët se me amnistinë fiskale po synon të ndihmojë emigrantët që kanë punuar në të zezë. Por ai nuk ka dhënë ende shifra konkrete se për sa emigrantë bëhet fjalë. Greqia dhe Italia, që kanë numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, i kanë të legalizuar ata prej vitesh.

Ashtu si herën e parë që e frenuan, edhe në këtë tentativë ndërkombëtaërt pritet t’ia bëjnë të qartë kryeministrit rreziqet që i kanosen vendit dhe atij personalisht. Ai rrezikon të shpallet edhe “non grata” nëse do të ecën në rrugën që ka nisur, duke përdorur “popullin” si justifikim për qëllimet e tij, të cilat shkojnë tërësisht kundër sugjerimeve të ndëkombëtarëve dhe legjislacionit europian.

Brukseli mund të vendosë edhe ta frenojë procesin e antarësimit nëse qeveria do të ecë përpara me këtë projekt, për të cilin ata janë të qartë se më shumë sesa të legalizojë ca mijëra euro të ndonjë emigranti, synon futjen në sistem të miliona eurove që vijnë nga trafiqet e paligjshme. /Zoom.al